
Dita e mërkurë, 27 maj 2026, dita e shënuar e Kurban Bajramit, ishte një ditë feste, adhurimi dhe shprese për besimtarët bektashianë, të cilët u mblodhën së bashku në Selinë e Shenjtë Bektashiane për të kryer ritet tradicionale si dhe për të forcuar më tej dashurinë e pakufishme për të Madhin Zot, me shpresën e ditëve më të mira në të ardhmen.
Që në orët e para të kësaj dite, gjallëri të jashtëzakonshme pati sidomos në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, ku uruan Kryegjyshin Botëror Bektashian e u bënë pjesë e këtij eventi, klerikë bektashian e të besimeve të tjerë fetarë; drejtues shtetërorë e vendorë; ministra e deputetë, teologë e studiues si dhe besimtarë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova e nga vende të tjera jashtë Shqipërisë, ku punojnë e jetojnë shqiptarët.
Mes të tjerëve, Kryegjyshin Botëror Bektashian, Shenjtërinë e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimajn, erdhën dhe e uruan për Kurban Bajram edhe: Kreu i Komitetit Shtetëror për Kultet; Ambasadori i BE në Tiranë; Ambasadorja e Izraelit; përfaqësuesit të Ambasadës së SHBA në Tiranë; përfaqësues të Ambasadës së Hungarisë në Tiranë; Përfaqësuesi i Ambasadës së Kroacisë; përfaqësuesi i Ambasadës së Republikës së Kinës në Shqipëri; përfaqësuesi i Ambasadës së Sirisë; Arqipeshkvi Arjan Doda; Taulant Bica, nga Komuniteti Mysliman; Joan Pelushi, Kreu i Komunitetit Ortodoks; përfaqësuesi i Protestantëve; përfaqësues të Partisë së Lirisë, Kreu i Partisë Aleanca Demokratike; rektorë universitetesh, akademikë, intelektualë; përfaqësues të Komuniteteve të Bektashinjve në Maqedoninë e Veriut e Kosovë etj…
Krygjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, uroi dhe bekoi mysafirët për më shumë dashuri, harmoni e respekt njerëzor
Gjatë kësaj dite të shënuar, mysafirët vizituan edhe mjediset e Odeonit, ku patën mundësinë të njihen nga afër me Muzeun e Bektashizmit, fondin e Bibliotekës dhe Galerinë e Artit Bektashian etj .
Fotot: Nuri ÇUMANI


























