
Ditët, e diel dhe e hënë, 24-25 mars 2026 ishin ditë të ngjeshura me aktivitete të shumta, në kuadër të përkujtimit të 180-vjetorit të lindjes së poetit kombëtar e Rilindasit Naim Frashëri.
Këto aktivitete të zhvilluara në qytetin e Përmetit dhe në Frashër, ishin pjesë e projektit të hartuar, realizuar e mbështetur nga Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Bashkia e Përmetit dhe Shoqata “Vëllezërit Frashëri”, Përmet.
Përveç titullarëve të mësipërm, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj; Kryetarja e Bashkisë Përmet, Alma Hoxha dhe kreu i Shoqatës Vëllezërit Frashëri, Tomorr Kotorri, merrnin pjesë funksionarë lokal e shtetërorë, akademikë, profesorë nga hapësirat mbarëshqiptare dhe nga shumë vende të botës. Aktiviteti përmbante një sesion shkencor, promovim i një antologjie me pjesëmarrjen e 100 poetëve shqiptarë e nga vende të ndryshme të botës; shpalljen e fituesve të konkursit ndërkombëtar për këtë event; interpretime këngësh, krijimesh poetike, vallesh etj. Një nga surprizat e veçanta të këtij eventi, ishte dhe dorëzimi i titullit “Hoonoris Causa”, nga akademik Sulltan Catto, i Universitetit të Nju Jorkut, SHBA, për të cilin do të publikojmë detaje, ditët e ardhshme.
Aktivitetet e ditës së parë, u zhvilluan në Përmet, ndërsa ato të ditës së dytë, në Frashër.
DITA E PARË. PËRSHËNDETJE E TOMORR KOTORRIT
Të nderuar Akademikë, profesorë, poetë dhe dashamirës të kulturës dhe letërsisë shqiptare.
Para disa ditësh, Kryegjyshi Botëror, Hirësia e tij, Haxhi dede Edmond Brahimaj kishte ditëlindjen dhe në emrin tuaj, ti urojmë ‘Gezuar ditëlindjen edhe 100 vite të begata, si udhëheqës shpirtëror me përmasa ndërkombëtare, i pajisur me vlera te larta fetare, fisnikërie, atdhetare! I nderuar Kryegjysh Botëror Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj! E nderuar Kryetare e Bashkisë Përmet, znj. Alma Hoxha! Të nderuar dashamires të kulturës, të nderuar pjesëmarrës!
…Në këtë aktivitet kulturor, na nderon me pjesëmarrjen e tij Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede, Baba Edmond Brahimaj, mbështetësi kryesor i këtij evenimenti kulturor; Kryetarja e Bashkisë Përmet, znj. Alma Hoxha; aktori i madh, Xhevat Limani, akademik Jeton Kelmendi si edhe akademikë, profesorë, përfaqësues të institucioneve lokale e shtetërorë, poetë e shkrimtarë nga Shqipëria, trojet shqiptare dhe vende të ndryshme të botës. Na nderojmë me pjesëmarjen e tyre dhe, akademiku amerikan, Sulltan Catto; akademik Konstantin Barbu (Kostanca Rumani); Profesor Dinos Kubatis (Greqi) etj…
…Shoqata jonë, në bashkëpunim me Bashkia Përmet, Kryegjyshatën Botërore Bektashiane dhe me mbështetjen e Akademia e Shkencave e Shqipërisë, organizon sot dhe nesër “Ditën Naimiane”; Konferenë shkencore të koordinuar me poetekën: “Naim Frashëri dhe fryma e Rilindjes Kombëtare në 100 poetë kombëtarë dhe ndërkombëtarë”.
Mirë se vini në këtë eveniment kulturor të veçantë, ku po nderojmë figurën e ndritur të Naim Frashëri, poetit që punoi për aksionin e lirisë kombëtare, i dha bukurinë shprehjes, urtësinë dhe virtytin fjalës shqipe, duke u shndërruar kështu në një engjëll të shqiptarizmës.. Ky takim është më shumë se një poeteke, është një vatër e dijes, e artit dhe e shpirtit shqiptar, ku bashkohen zëra nga trojet shqiptare dhe nga mbarë bota. Në këtë atmosferë, poezia bëhet pishtari i mendjes dhe shpirtit, që ndez dritën e shpresës dhe kujton amanetin e vëllezërve Frashëri: “Të duam, ta mbrojmë, ta lartësojmë Shqipërinë.” Çdo varg, çdo poezi, çdo fjali është një udhë për brezat, u kujton rëndësinë e kulturës, dijes dhe bashkimit kombëtar. Kjo antologji është një homazh i gjallë për Naim Frashërin dhe për idealet e tij, një dëshmi se poezia nuk njeh kufij dhe vazhdon të frymëzojë zemrat dhe mendjet e njerëzve. Një mesazh të përjetshëm: dashuri për gjuhën, për kulturën , për kombin, jetën dhe Lirinë. Falënderoj me këtë rast redaktorin dhe bashkë përgatitësin e kësaj antologjie, poetin, shkrimtarin dhe publicistin e njohur Kujtim Boriçi për punën që ka bërë…
PËRSHËNDETJA E DEDE EDMOND BRAHIMAJT
Bismilahi Rrahmani Rrahim! Në emër të Zotit Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe fetare! Të nderuar studiues, poetë, shkrimtarë, organizatorë të këtij eventi dhe dashamirës të kulturës shqiptare!
Të dashur motra dhe vëllezër, Me ndjenjë të veçantë respekti e mirënjohjeje jemi mbledhur sot në “Ditët Naimiane”, për të përkujtuar 180-vjetorin e lindjes së një prej figurave më të ndritura të kombit shqiptar — poetit, mendimtarit dhe Rilindasit të madh, Naim Frashërit. Naimi nuk ishte vetëm një poet kombëtar i fjalës së bukur shqipe. Ai ishte një udhërrëfyes shpirtëror i shqiptarëve. Në vargjet dhe mendimin e tij gjejmë harmoninë midis fesë dhe atdheut, midis dashurisë për Zotin dhe dashurisë për njeriun, midis urtësisë mistike dhe idealit kombëtar.
Ai ishte biri i madh i Frashërit, i dalë nga një vatër e bekuar shqiptarie dhe spiritualiteti. Fryma bektashiane, në të cilën u formua, ndikoi thellësisht në mendimin dhe krijimtarinë e tij. Bektashizmi për Naimin nuk ishte vetëm një përkatësi fetare; ishte një rrugë dashurie, drite, tolerance dhe njerëzie. Në veprën e tij të njohur “Fletore e Bektashinjet”, Naim Frashëri paraqet në mënyrë të thellë filozofinë humane dhe universale të bektashizmit. Aty ai shkruan për dashurinë ndaj Zotit, për barazinë mes njerëzve, për urtësinë dhe për nevojën që njeriu të pastrojë zemrën e tij.
Naimi shkruan: “Bektashinjtë janë vëllezër, duan si shpirtin edhe njerinë.”
Kjo fjali e thjeshtë përmbledh të gjithë filozofinë e paqes dhe humanizmit që ai mbarti gjatë gjithë jetës së tij. Në një tjetër pjesë ai shkruan: “Pa dashuri s’ka jetë.”
Dhe vërtet, gjithë vepra e Naimit është ndërtuar mbi dashurinë- dashurinë për Zotin, për kombin, për gjuhën shqipe dhe për njerëzimin.
Në librin “Qerbelaja”, ai sjell me ndjeshmëri të rrallë sakrificën e Imam Hyseinit në Qerbela, si simbol të së vërtetës, drejtësisë dhe qëndresës kundër padrejtësisë. Përmes kësaj vepre, Naimi nuk shkruan vetëm histori fetare; ai u jep shqiptarëve një mesazh moral dhe shpirtëror: se njeriu duhet të qëndrojë gjithmonë në anën e së drejtës dhe të mos e humbasë kurrë dinjitetin e tij.
Ai e ngriti figurën e Imam Hyseinit si simbol të sakrificës për të vërtetën dhe lirinë. Kjo frymë lidhej edhe me idealin kombëtar shqiptar, sepse për Naimin feja dhe atdheu nuk ishin kundërshtim, por plotësim i njëra-tjetrës.
Në “Lulet e Verës”, në “Bagëti e Bujqësia”, në “Historia e Skënderbeut” dhe në shumë vepra të tjera, ai ndërtoi një univers poetik ku natyra, besimi, atdheu dhe morali njerëzor bashkëjetojnë në harmoni të plotë.
Kur lexojmë vargjet e tij: “Ti Shqipëri, më jep nder, më jep emrin shqipëtar,/ Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr.”, kuptojmë se për Naimin atdheu ishte amanet shpirtëror. Shqipëria për të nuk ishte vetëm tokë; ishte identitet, ishte besë, ishte mision.
Të dashur pjesëmarrës! Sot bota po kalon kriza të mëdha shpirtërore. Njeriu modern shpesh humbet paqen e zemrës, largohet nga morali, nga familja, nga dashuria dhe nga respekti për tjetrin. Pikërisht për këtë arsye, mesazhi i Naim Frashërit mbetet i gjallë dhe i domosdoshëm edhe sot. Ai na mëson se pa kulturë nuk ka komb, pa moral nuk ka shoqëri të shëndetshme dhe pa dashuri nuk ka paqe mes njerëzve.
Bektashizmi shqiptar, i cili historikisht ka qenë vatër e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare, gjeti tek Naimi një zë të madh që e shndërroi këtë frymë në poezi dhe filozofi kombëtare. Ai i ftoi shqiptarët të mos ndahen nga feja, krahina apo bindjet, por të bashkohen në vlera, në gjuhë dhe në dashuri për njëri-tjetrin. Sot, duke nderuar Naim Frashërin, ne nderojmë njëkohësisht kulturën shqiptare, urtësinë bektashiane dhe shpirtin fisnik të kombit tonë.
Le të jetë kjo veprimtari një moment reflektimi për brezat e rinj, që të mësojnë nga Naimi jo vetëm poezinë, por edhe urtësinë e jetës. Të mësojnë se dija duhet të ecë bashkë me moralin, se feja duhet të sjellë paqe dhe se shqiptaria duhet të ndërtohet mbi respektin e ndërsjellë.
Lusim Zotin e Madhërishëm që ta bekojë kombin shqiptar me unitet, mirësi, paqe dhe dritë shpirtërore. Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe vepra e pavdekshme e Naim Frashërit! Zoti na bekoftë të gjithëve ! Amin!
PËRSHËNDETJE E ALMA HOXHËS, KRYETARE E BASHKISË PËRMET
…Mirëse keni ardhur në Përmetin tonë, në këtë aktivitet të rëndësishëm që organizohet me rastin e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit! Me përgatitjen dhe botimin e antalogjisë poetik, ‘100 poetë për Naim Frashërin’ me poezi të autorëve shqiptarë dhe të huaj që kemi në duar, ne realizojmë së bashku një projekt të rëndësishëm që e bën më të bukur dhe më të plotë, përkujtimin e poetit e rilindasit të madh, Naim Frashëri, në vitin jubile të 180-vjetorit të lindjes së tij. E gjykoj të rëndësishme të përmend dhe të falënderoj këtu, iniciuesit e këtij projekti, Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Kryegjyshin Botëror Bektashian, Shenjtërinë e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj; Shoqatën Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare, ‘Vëllezërit Frashëri’; autorët që përgatitën antologjinë, që Bashkia Përmet dhe unë personalisht, i mbështetëm pa rezerva dhe ata që përgatitën e botuan këtë antologji.
…Naim Frashëri e vëllezërit e tij, ishin e do të mbeten ikona të atdhetarisë, duke frymëzuar brezat. Sigurisht, që ne përmetarët, jemi krenarë për këtë realitet… Vështirë të gjesh një shqiptar, të madh e të vogël, që nuk i di këto vargje dhe emrin e Naim Frashërit, rilindasit të madh që me fjalën e tij i dha dritë mendimit dhe shpirtit shqiptar dhe që i përkasin ndërgjegjes kombëtare që ka udhëtuar ndër kohë. I mësuar prej prindërve me dashurinë për atdheun, i edukuar nga baballarët e teqesë me ndjenjat e kulluara të devocionit ndaj Krijuesit, por edhe ndaj gjuhës shqipe, ky dijetar i madh, do të shpërfaqte më pas jo thjesht korpusin e veprave të tij letrare, por edhe vizionin e vendit ku lindi. Vepra e tij letrare, mbajti pezull frymën e asaj gjenerate kur u krijua, sepse ishte e orientuar nga vlerat më tradicionale të kombit, sepse bënte thirrje për zgjim përmes dijes, sepse ngrihej mbi ndasitë e importuara prej relikeve të religjioneve që kaluan mbi Shqipëri, sepse u kujtonte të gjithë bashkëkombasve të vet, të ndiheshin krenarë për origjinën e tyre.
Brezat e djeshëm dhe të sotëm të shqiptarëve, jo vetëm në trojet e tyre, por kudo ku ndodhen, në çdo cep të globit, kanë përsëritur dhe përsërisin me krenari legjitime, vargjet e famshme: T’i Shqipëri më jep nderë, / Më jep emrin shqiptarë…”
Veçanërisht sot, në kushtet e emigracionit, për shqiptarët që përballen me jetesën larg atdheut, këto vargje marrin një domethënie të mrekullueshme.
Në këtë kuadër, antologjia që kemi në duar, është pjesë e një tradite të konsoliduar tashmë, e cila çdo vit mbledh zëra të ndryshëm, krijues të ndryshëm, por një frymë të përbashkët: dashurinë për gjuhën, për kulturën dhe për identitetin shqiptar. Kjo antologji është dëshmi e vazhdimësisë së mendimit dhe krijimtarisë shqiptare. Është një urë që lidh brezat, ku fjala e shkruar e sotme takohet me frymën e një trashëgimie që ka nisur me Naimin dhe vazhdon të ushqejë ndërgjegjen tonë kulturore.
Së bashku me Ministrinë e Kulturës, Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Shoqatën Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare vëllezërit Frashëri, për Ditën Naimiane, kemi synuar jo thjeshtë përkujtimin e këtij burri të shquar, por sidomos kthimin e vëmendjes tek ndjenjat e sotme kombëtare. Ne duhet të jemi të bashkuar, jo në kuptimin folklorik, por shumë më gjerë, në konceptet dhe perceptimet tona filozofike, sociale dhe morale, sepse duke qenë shqiptarë, do t’i mbetemi kurdoherë borxh, atdheut tonë. Nuk mund të mos kujtojmë një nga pjesët më të ndritura të krijimtarisë së Naim Frashërit, “Fjalët e qiririt”, ku ai shpreh me një thjeshtësi dhe madhështi të veçantë misionin e dijes dhe të fjalës që ndriçon: “Në mes tuaj kam qëndruar/ E jam duke përvëluar,/ Që t’ju ap pakëz dritë,/ Natën t’ua bënj ditë.”
Këto vargje janë simbol i sakrificës për dritën, për dijen dhe për ndërgjegjësimin shpirtëror. Dhe pikërisht kjo “dritë” është ajo që vazhdon të jetojë sot në çdo përpjekje për të ruajtur dhe zhvilluar kulturën tonë.
Çdo vit që kjo traditë vijon, ajo fiton më shumë peshë, më shumë kuptim dhe më shumë vlerë, sepse nuk mbetet vetëm në kujtesë, por kthehet në një akt kulturor dhe shpirtëror.
Në këtë rrugëtim, ne kemi detyrimin moral dhe kulturor që të mos e shohim trashëgiminë e Naimit vetëm si një kujtim të së shkuarës, por si një udhërrëfyes për të tashmen dhe të ardhmen tonë.
KUJTIM BORIÇI: RISITË QË SJELLË ANTOLOGJIA POETIKE PËR NAIM FRASHËRIN
Botimi i antologjisë poetike “100 poetë për Naim Frashërin”, është botimi i fundit për këtë korife të fjalës e të gjuhës shqipe, që përkon me 180-vjetorin e lindjes së tij. Ky projekt, i ideuar nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Shoqata “Atdhetare kulturore mbarëkombëtare Vëllezërit Frashëri”, Bashkia Përmet dhe shoqata e komunitete intelektualësh nga hapësirat mbarëshqiptare, është një përpjekje serioze dhe e mirëpritur.
Në këtë kuadër, meritë e veçantë i takon Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj që inicioi e mbështeti këtë nismë, krahas shumë botimeve të tjera të mëparshme me e për këtë objekt. Njëkohësisht, duhet evidentuar angazhimi i Tomorr Kotorrit, bashkëhartues dhe i angazhuar maksimalisht në këtë projekt dhe, shumë faktorëve të tjerë.
Duke qenë redaktor i librit dhe pjesë që në nisje të këtij projekti, dua të theksoj se krahas vështirësive të shumta që kanë nisma të tilla, duke pasur një mbështetje e angazhim të vazhdueshëm nga një grup profesionistësh në këtë redaksi; gatishmëri për pjesëmarrje të poetëve nga vendi, Kosova, Maqedonia e shumë shtete të kontinentit e më gjerë, shpresojmë të kemi arritur të bëjmë ditka të mirë.
Në këtë kuadër veçoj interesin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj; praninë në çdo hap të Tomorr Kotorrit; profesionalizmin e poetit të njohur Lumo Kolleshi; angazhimin e poetit, intelektualit e atdhetarit të njohur Prof. Jeton Kelmendi; gatishmërinë e preokupimin e studjuesit Nuri Çuni; impenjimin e gazetares veterane Angjelina Xharra etj. Po ashtu, puna e përkthyesve Jeton Kelmendi, Sheldiana Agaraj-Jano e Lili Kiçi; botuesit Ilir Shordja etj, kontribuan në sfidën ndaj kohës, për përgatitjen e botimin në kohë të antologjisë.
Si grup i punës, jemi të befasuar nga gatishmëria e pjesëmarrja me krijimet e tyre të shumë poetëve, jo vetëm shqiptarë, por nga të gjithë kontinentet, në këtë antologji. Një pjesë e këtyre poezive, u përzgjodhën dhe janë pjesë e antologjisë.
Sigurisht, një projekt i tillë, ka dhe shumë vështirësi, për kalimin e tyre, u desh jo pak mund e kohë.
Së pari, numri i pjesëmarrësve ishte shumë i madh, poetë të njohur e të rinj dhe, konsultimi me krijimet e tyre, deri në përzgjedhje, kërkoi angazhim e jo pak kohë.
Së dyti, poezitë e poetëve të huaj ishin në gjuhët e tyre dhe përkthimi në shqip, me vështirësitë që ka përkthimi ik poezisë, kërkoi mund.
Së treti, paraqitja e shumë poezive bruto, pa përzgjedhje e redaktim, vështirësoi ecjen e procesit sipas planifikimit paraprak.
Shto këtu dhe vështirësitë e procesit të botimeve, që nisin nga grumbullimi i materialeve, përzgjedhja, korrektimi, redaktimi, faqosja, deri në printim, deshën kohën e vet.
I përmenda këto fakte, duke shtuar se u përpoqëm të bënim më të mirën, gjë të cilën, më mirë, do e thotë lexuesi. Sigurisht, e mira nuk ka fund e si në çdo projekt, mund të këtë dhe ndonjë mangësi. Gjithsesi, mendoj se kemi bërë ditka. Më i saktë do të jetë vlerësimi juaj, pasi ta merrni këtë libër në dorë. Falënderim i veçantë për të gjithë poetët e përfshirë në këtë libër.
AKADEMIK JETON KELMENDI: FJALË PËR PREZANTIMIN E ANTOLOGJISË
Vështirë të gjesh një shqiptar, të madh e të vogël, që nuk i di këto vargje dhe emrin
e Naim Frashërit, rilindasit të madh që me fjalën e tij i dha dritë mendimit dhe shpirtit shqiptar dhe që i përkasin ndërgjegjes kombëtare që ka udhëtuar ndër kohë.
I mësuar prej prindërve me dashurinë për atdheun, i edukuar nga baballarët e teqesë me ndjenjat e kulluara të devocionit ndaj Krijuesit, por edhe ndaj gjuhës shqipe, ky dijetar i madh, do të shpërfaqte më pas jo thjesht korpusin e veprave të tij letrare, por edhe vizionin e vendit ku lindi.
Vepra e tij letrare, mbajti pezull frymën e asaj gjenerate kur u krijua, sepse ishte e orientuar nga vlerat më tradicionale të kombit, sepse bënte thirrje për zgjim përmes dijes, sepse ngrihej mbi ndasitë e importuara prej relikeve të religjioneve që kaluan mbi Shqipëri, sepse u kujtonte të gjithë bashkëkombasve të vet, të ndiheshin krenarë për origjinën e tyre. Brezat e djeshëm dhe të sotëm të shqiptarëve, jo vetëm në trojet e tyre, por kudo ku ndodhen, në çdo cep të globit, kanë përsëritur dhe përsërisin me krenari legjitime, vargjet e famshme: T’i Shqipëri më jep nderë, / Më jep emrin shqiptarë…
Veçanërisht sot, në kushtet e emigracionit, për shqiptarët që përballen me jetesën larg atdheut, këto vargje marrin një domethënie të mrekullueshme.
Në këtë kuadër, antologjia që prezantojmë sot është pjesë e një tradite të konsoliduar tashmë, e cila çdo vit mbledh zëra të ndryshëm, krijues të ndryshëm, por një frymë të përbashkët: dashurinë për gjuhën, për kulturën dhe për identitetin shqiptar. Kjo antologji është dëshmi e vazhdimësisë së mendimit dhe krijimtarisë shqiptare. Është një urë që lidh brezat, ku fjala e shkruar e sotme takohet me frymën e një trashëgimie që ka nisur me Naimin dhe vazhdon të ushqejë ndërgjegjen tonë kulturore. Nuk mund të mos kujtojmë një nga pjesët më të ndritura të krijimtarisë së Naim Frashërit, “Fjalët e qiririt”, ku ai shpreh me një thjeshtësi dhe madhështi të veçantë misionin e dijes dhe të fjalës që ndriçon: “Në mes tuaj kam qëndruar/ E jam duke përvëluar,/ Që t’ju ap pakëz dritë,/ Natën t’ua bënj ditë.”
Këto vargje janë simbol i sakrificës për dritën, për dijen dhe për ndërgjegjësimin shpirtëror. Dhe pikërisht kjo “dritë” është ajo që vazhdon të jetojë sot në çdo përpjekje për të ruajtur dhe zhvilluar kulturën tonë.
NGA KUMTESA E KUJTIM BORIÇIT
…Duke iu përmbajtur objektit për të cilën unë po flas, pra raporti me mesazhet kombëtare të Frashërllinjve të mëdhenj dhe situata konkrete sot, mendojmë se çedojmë.
Më thjeshtë, a ja bëjmë pyetjen vetes sejcili, se çfarë bëjmë ne për Naimin, Universin Naimian, sot, në çfarë situate jemi. Dhe kur shtrojmë këtë pyetje, së pari Përmeti duhet të jetë krenarë dhe në ballë të këtij angazhimi e detyrimi moral dhe kombëtar. Por fatkeqësisht nuk është kështu. Pse?!
Sigurisht, kjo antologji është një arritje, por dhe nesër këtu, në këtë vend, bëhet një aktivitet tjetër, po në kuadër të 180 vjetorit të Naim Frashërit; një pjesë e këtyre njerëzve që janë sot në këtë sallë, do të jenë dhe nesër; ka dhe një libër, (ndonëse e gjinisë tjetër) nesër; po do të ketë dhe ata çmime fituesish!? Po e bën një shoqatë tjetër, se ky Përmet, ka tri shoqata që kanë simbol Naimin e Frashërllinjtë. Me sa më thanë, po bëhet gati dhe një tjetër shoqatë, sikur të mos mjaftojnë këto… Frashërllinjtë, përmetarët, janë të kulturuar, shembull për unitetin… Po nuk bashkohen xhanëm në një shoqatë, se një Naim ka qenë, dhe bashkë bëjmë e bëni më të mirën! Nuk më vjen mirë që vitet e fundit, mbijnë ‘foltore’ dhe shoqata paralele, bile nga afro 200 organizma të tillë, bëhen sa gishtat e dorës ata që nuk janë ndarë në 2-3 degë. Kështu, jo të bashkuar, besoj e besoni dhe Naimi nuk na donte…
Do u sjellë një fakt të përjetuar, që tregon se çfarë force ka universi naimian dhe si i mbledh shqiptarët dhe në mes të Parisit. Në ditët e Naimit që bëhen atje, në një teatër në qendër e nga më të mirët, me 1200 pjesëmarrës të gjuhëve e racave e kombësive të ndryshme, Naim Frashëri foli jo vetëm shqip, por dhe në frëngjisht e gjuhë të tjera. Ishin atje artistë nga shumë vende të Europës, shqiptarë, deri dhe primo i baletit të Athinës që luajti e kërceu me shpirtin muzikor përmetar që rrjedh nga vargjet e Naimit të madh.
Dede Edmond Brahimajk, organizator i këtij aktiviteti periodik, (e ndërpreu pandemia Covid) titulluar “Ditët e Naim Frashërit në Paris’, ka një meritë që jashtëzakonshme, me vlera fetare e atdhetare në këtë aspekt.
…Tre vite më parë, u botua një libër interesant nga Kryegjyshata, ku unë jam bashkautor, ‘Naim Frashëri, apostull i Bektashizmit’, rreth 800 faqe me materiale studimore të rëndësishme, me publicitet mediatik të jashtëzakonshëm. … U bë ky libër pjesë e bibliotekave shkollore, universitare e akademike, në Kosovë e Maqedoninë e Veriut kryesisht. Ndërsa në Përmet, njerëzit e interesuar, me dijeninë që kemi, janë pothuaj sa shoqata që kanë objekt Frashërllinjtë…
…Naim Frashëri, i ka dhënë jetë, qëndresë gjuhës shqipe, me “Gjuha shqipe, sa e ëmbël sa e mirë…”. Po cfarë po ndodh me gjuhën shqipe, pasurinë më të çmuar të bashkëkombësve tanë që jetojnë jashtë kufijve të tokës mëmë në Maqedoninë e Veriut… Naimi nuk është i qetë atje ku është për këtë situatë, e ne duhet të ndjejmë përgjegjësinë që duhet, seicili.
U ndala në këto pak pika, që lidhen me objektin e diskutimit tim. Sigurisht shkurt, pasi materialin e plotë, ia kam lënë organizatorëve. Nuk fola për punën e mirë që është bërë, se e mira flet vetë… Duke menduar se këto mendime mund të na vlejnë, unë ua shpreha këtu. Ju kërkoj ndjesë për kohë dhe shpresoj se nuk u mërzita.
U uroj të gjithëve shëndet të plotë, ju e familjeve tuaja dhe u mbledhshmi herën tjetër më të bashkuar e me arritje më të mëdha. Faleminderit!
MIRËNJOHJE TË KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN
Në ditën e parë të aktivitetit që u zhvillua në kinemanë e qytetit të Përmetit, para të pranishmëve, në mënyrë ceremoniale, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, dha dhe mirënjohjet e mëposhtëme:
Alma Hoxha, Kryetar i Bashkisë Përmet: “Në vlerësim të punës dhe mbështetjes së saj në aktivitetet e vazhdueshme, kushtuar vëllezërve Frashëri, si dhe për bashkëpunimin sistematik me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.”
Akademik Sultan Catto(SHBA): “Për njohjen, vlerësimin, publikimin dhe promovimin e vlerave të Bektashizmit dhe misionit bektashian”
Profesor, Cosantin Barbu(Rumani): “Për angazhimin e vazhdueshëm në njohjen, publikimin mediatik dhe vlerësimin e personaliteteve të bektashizmit, veçanërisht të vëllezërve Frashëri.”
Profesor, Dino Koubatis (Greqi): “Për kontributin e vazhdueshëm në njohjen, publikimin mediatik dhe vlerësimin e personaliteteve të bektashizmit, veçanërisht vëllezërve Frashëri, si dhe për poezitë dhe krijimtarinë e tij, kushtuar rilindësve shqiptarë”.
Akademik, Jeton Kelmendi (Kosovë): “Për aktivitetin e tij publik, si studjues, poet e shkrimtar, që ka ndriçuar më tej kontributin fetar e atdhetar të Naim Frashërit e vëllezërve të tij dhe për vlerësimin ndaj figurave të njohura dhe personaliteteve të Kombit Shqiptar.”
Tomorr Kotorri: “Për punën e vazhdueshme në krye të Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare, “Vëllezërit Frashëri”, numrin cilësor dhe sasior të aktiviteteve me këtë objekt si dhe bashkëpunimin e vazhdueshme ne Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.”
ÇMIMET VJETORE TË REVISTËS ‘URTËSIA’
Kujtim Boriçi, ftoi së pari personalitetet kryesorë që të ngjiteshin në skenë, për të orekomunikuar e dhënë çmimet fituese vjetore të revistës ‘Urtësia”, organ i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Fituesit e çmimeve:
Z: Lumo Kolleshi: “Fitues i çmimit të parë në konkursin vjetor të revistës “Urtësia”, Organ i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, për poezinë “Vëllezërit të Frashëri”.”
Z: Fatmir Popja: “Fitues i çmimit të dytë, në konkursin vjetor të revistës “Urtësia”, Organ i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, për reportazhin “Një udhëtim në objektet bektashiane të trevës së Gramshit”.
Z: Agim Bajrami: “Fitues i çmimit të dytë, në konkursin vjetor të revistës “Urtësia”, Organ i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, për poezinë “Në vendlindjen e vëllezërve Frashëri”
Z: Mimoza Osmani: “ Fituese e çmimit të tretë, në konkursin vjetor të revistës “Urtësia”, Organ i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, për poezinë “Naimi””
Z: Elisabeta Isufi: “ Fituese e çmimit të tretë, në konkursin vjetor të revistës “Urtësia”, Organ i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, për poezinë “ Dritë që s’njeh perëndim”.
ÇMIMET E KONKURSIT NDËRKOMBËTAR
Me mjaft interes u ndoq momenti kur Kujtim Boriçi, në cilësinë e kryetarit të jurisë (Përbërë dhe nga Diana Çuli, Jeton Kelmendi, Lumo Kolleshi e Angjelina Xharra), publikoi dhe fituesit e çmimeve përkatëse, të konkursit ndërkombëtar “110 poetë për Naim Frashërin”, përfshirë dhe në antologjinë e sapo prezantuar. Fituesit:
Z: Odise Kote: “Fitues i çmimit të parë në konkursin ndërkombëtar për poezinë, “Frashër o Frashër…!”, përfshirë në antologjinë “Naim Frashëri, me 100 poetë kombëtar e ndërkombëtarë”.
Z: Dino Kubatis (Greqi): “Fitues i çmimit të dytë në konkursin ndërkombëtar për poezinë, “Heroi kombëtar, Naim Frashëri”, përfshirë në antologjinë “Naim Frashëri, me 100 poetë kombëtar e ndërkombëtarë”.
Z: Constantin Barbu (Rumani): “Fitues i çmimit të dytë në konkursin ndërkombëtar për poezinë, me ‘Poezi për Naim Frashërin”, përfshirë në antologjinë “Naim Frashëri, me 100 poetë kombëtar e ndërkombëtarë”.
Zj. Mimoza Vasku: “Fitues i çmimit të tretë në konkursin ndërkombëtar për poezinë, “Fjalët, si flakë në letër” përfshirë në antologjinë “Naim Frashëri, me 100 poetë kombëtar e ndërkombëtarë”.
Zj. Mirela Arllati: “Fitues i çmimit të tretë në konkursin ndërkombëtar për poezinë, “Mali që flet shqip”, përfshirë në antologjinë “Naim Frashëri, me 100 poetë kombëtar e ndërkombëtarë”.
Z. Bekim Kelmendi: “Fitues i çmimit të tretë në konkursin ndërkombëtar për poezinë, “Për ty Naim…”, përfshirë në antologjinë “Naim Frashëri, me 100 poetë kombëtar e ndërkombëtarë”.
DITA E DYTË, NË FRASHËR
Aktivitete të shumta pati edhe dita e dytë e aktiviutetit, zhvilluar në Frashër, vendlindjen e Naimit. Konkurse, përshëndetje, ligjërate e këngë nga personalitete e grupime nga gjithë hapësirat mbarëshqiptare, e bënë më të bukur këtë ditë.
Njëkohësisht, vizita në Muzeun e Frashërllinjve, ngjalli emocione të tjera për pjesëmarrësit e shumtë. Po ashtu, një qëndrim i gjatë dhe dreka bektashiane në Teqenë e Frashërit, ishte risi me shumë vlera për të pranishmit në përkujtimin e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit.
Përgatiti: Nuri ÇUNI
























