
Dita e mërkurë e 10 qershorit 2026, është një ditë e veçantë për bektashinjtë e Grykës së Madhe-Dibër e më gjerë, pasi është dita e pelegrinazhit tradicional vjetor. Kjo ditë, përkon dhe me 123-vjetorin e themelimit të saj. Në këtë ditë të shënuar, për drejtimin e riteve përkatëse, mes besimtarëve të shumtë, është dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Lidhur me këtë ditë, ndër të tjera, Dede Edmond Brahimaj tha: “Historia e themelimi për herë të parë të saj, lidhet me baba Sufa, i parë nga fisi Tasha i fshatit Bllacë, në vitin 1800. Ishte me virtyte të rralla kishte dhunti shenjtërie. Është veshur në Haxhi Bektash baba. Mbante lidhje me teqetë e Dibrës së Madhe, Tetovës me baba Fejzë Bulqizën. Ai hapi mejtepin e parë në Bllacë, në mesin e viteve 1830. Por masat e mara nga otomanët mbas viteve 1826, në persekutimin e bektashinjve, teqeja u shkatërrua. Për një periudhë të gjatë nuk funksionoi. U ringrit në themelet e para, në vitin1893 dhe tyrben e baba Sufës parë, nga baba Sufa i dytë. Baba Sufa i ri ka lozur një rol të madh në përhapjen e bektashizmin në trevën e Dibrës, mësimin e gjuhës shqipe, kontribut në rilindjen kombëtare. Edhe sot mbahen mend thëniet e tij: “Evladë, me shkollë do të shikoni edhe natën!“ Në teqe në vitin 1908 hapi shkollën e parë shqipe. U persekutua nga autoritet turke dhe serbe, ndërroi jetë në vitin 1915. Teqeja u dogj në vitin 1923, e ringriti baba Zenjeli nga Skrapari në vitin 1930. Ai ishte një organizator sa teqenë e pasuroi dhe afroi shumë besimtar dhe dashamirës për bektashizmin e vazhdoi me dervish Abdulla Gurra deri 1940. Shërbeu Dede Ahmeti 1938. Vazhduan të punojnë në këtë teqe disa baballarë dhe dervish si: baba Muharrem Metalla (1950-1954), baba Xhemal Rapush Dinollari (1954-1963) deri në vitin1967. Teqeja u shkatërrua nga shteti monist në vitin 1967 dhe u rihap në vitin 1995 dhe e drejtoi baba Ismail Jangullit me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe ringriti këtë teqe të mrekullueshme që ne kemi sot. I jemi mirënjohës dhe e nderojmë edhe sot, në këtë ditë të shënuar për veprën që la. E përkujtojmë me respekt e dashuri të pakufishme, klerikun e nderuar baba Ismail jangulli…”
