U ZHVILLUA NË SELINË E SHENJTË TË KRYEGJYSHATËS BOTËRORE TË BEKTASHINJVE, CEREMONIA TRADICIONALE E ASHURES

Që në orët e para të ditës së premte, 26 qershor 2026, në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, në Tiranë, erdhën qindra besimtarë, klerikë bektashianë, e të besimeve të tjerë fetarë, personalitete të fushave të ndryshme, ministra deputetë e funksionarë shtetërorë, të ardhur nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, por dhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, si dhe besimtarë e dashamirës nga komunitete shqiptarësh që punojnë e jetojnë në vende të ndryshëm të botës, për ritet e ditës së shenjtë të Ashures.
Kjo ceremonia u organizua pas ditës së dhjetë të agjërimit të Matemit, në kujtim të 72 martirëve, luftëtarëve të Qerbelasë. Ritet e ceremonisë u drejtuan nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Ndër personalitetet zyrtarë e fetarë që ishin në ceremoni, si dhe uruan Kryegjyshin e shijuan ashuren, simbolin e kësaj dite, ishin dhe: Ministri i Mbrojtjes; Avokati Popullit; Kryetar i Komitetit Shtetëror të Kulteve; Prefektoi i Qarkut Tiranë; Kryetari i Komitetit Mysliman të Shqiperisë; Përfaqësues i Ambasadës së Azerbajxhanit; Përfaqësues nga Kisha Katolike; Përfaqësues nga Kisha Ortodokse; nga Tarikati Rufai; nga Tarikati Kadri; Ambasasori i Brazilit në Shqipëri; Përfaqësues nga Ambasada Amerikane; Përfaqësues tëAmbasadës së Greqisë; Ambasadori Ukrainës; Ambasadorja e Hungarisë; Ambasadorja e Izraelit etj…
Pjesëmarrësit në ceremoni, pas shoqërimit të Himnit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe Himnit Bektashian, ndoqën me interes nefese e poezi bektashiane nga aktorët e njohur Dritan Boriçi dhe Bujar Asqeriu. Po ashtu, këngët me të njëjtin objekt, të interpretuara nga këngëtarja e njojhur Olta Boka, e bënë më të plotë dhe interesante klimën miqësore e vëllazërore të ceremonisë.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, në përshëqndetjen e Tij, ndër të tjera theksoi: “…Bismilahi Rrahmani Rrahim! Në emër të Zotit Mëshiruesit Mëshirëbërësit!
Të dashur besimtarë, klerikë, miq e dashamirës të rrugës së shenjtë bektashiane, Në këtë ditë të bekuar të Ashures, zemrat tona kthehen me përulësi dhe dhimbje drejt ngjarjes më të madhe të sakrificës, besimit dhe qëndresës në historinë e Islamit: betejës së Qerbelasë.
Sot ne kujtojmë me nderim e respekt të pafund Imam Hyseinin, nipin e Profetit Muhamed (a.s.), i cili së bashku me familjen, shokët dhe 72 dëshmorët e Qerbelasë zgjodhi të sakrifikonte jetën për të vërtetën, drejtësinë, dinjitetin njerëzor dhe mbrojtjen e vlerave hyjnore. Ata nuk pranuan të nënshtroheshin përballë padrejtësisë, as të heshtnin përballë
shtypjes. Me gjakun e tyre ata shkruan një mesazh të përjetshëm për mbare njerëzimin: se e vërteta nuk mund të mposhtet kurrë. Qerbela nuk është thjesht një ngjarje historike. Ajo është një edukim shpirtëror, një thirrje e përhershme për ndërgjegjen njerëzore. Çdo brez është i thirrur të zgjedhë midis drejtësisë dhe padrejtësisë, midis dashurisë dhe urrejtjes, midis dritës dhe errësirës. Imam Hyseni na mëson se njeriu mund të humbasë jetën, por kurrë nderin; mund të përballet me vuajtje, por kurrë të mos braktisë të vërtetën.
Në traditën bektashiane, Ashurja është kohë reflektimi, pendese, lutjeje dhe afrimi me Zotin. Është momenti kur ne pastrojmë zemrat nga urrejtja, egoizmi dhe përçarja. Sakrifica e Imam Hysenit na fton të ndërtojmë ura mirëkuptimi, të kultivojmë dashurinë ndaj njëri-tjetrit dhe
të shërbejmë me përkushtim ndaj paqes.
Pas ditëve të agjërimit të matem dhjetëditor, kur zemrat tona janë zbutur nga lutja, kujtimi dhe dashuria për Ehli Bejtin, le të reflektojmë mbi përgjegjësinë tonë shpirtërore dhe njerëzore ndaj njëri-tjetrit.
Mësimet e Imam Aliut (a. s.), simbolit të urtësisë dhe drejtësisë, të Imam Hasanit (a.s.), shembullit të paqes, durimit dhe pajtimit, dhe të Imam Hysenit (a. s.), flamurtarit të së vërtetës dhe sakrificës, na ftojnë të forcojmë besimin, dashurinë, respektin dhe vëllazërinë mes njerëzve. Në një kohë kur shumë familje përballen me ndarje për shkak të emigrimit, kur të rinjtë largohen nga vendlindja në kërkim të një jete më të mirë dhe kur shpesh njeriu ndihet i vetmuar përballë sfidave të kohës, rruga e shenjët bektashiane na mëson të hapim zemrat, të gjendemi pranë atyre që kanë nevojë për ngushëllim, të mbështesim njëri-tjetrin dhe të ruajmë gjallë vlerat e besimit, familjes, solidaritetit dhe dashurisë njerëzore.
Në këto ditë të Ashures, lutjet tona shkojnë gjithashtu për të gjithë popujt që vuajnë nga luftërat, konfliktet dhe trazirat në mbarë botën. Ashtu si fusha e Qerbelasë dëshmoi sakrificën e atyre që qëndruan përballë padrejtësisë, edhe sot njerëzimi ka nevojë për më shumë drejtësi, më shumë dhembshuri dhe më shumë paqe. Le të lutemi që Zoti i Madhëruar të ndriçojë zemrat e njerëzve me urtësi, të largojë urrejtjen e përçarjen,  të sjellë siguri për familjet e prekura nga lufta dhe të forcojë frymën e vëllazërisë mes kombeve. Le të jetë Ashurja jo vetëm një kujtim i dhimbjes së Qerbelasë, por edhe një burim drite e shprese, që na frymëzon të bëhemi bartës të paqes, dashurisë dhe mirësisë, duke
dëshmuar me veprat tona mësime të pavdekshme të Imam Aliut, Imam Hasanit dhe Imam Hysenit (paqja qoftë mbi ta). Zoti i Madhëruar e bekofsh njerëzimin me paqe, mirësi dhe dritë shpirtërore. Zoti na bekofsh të gjithëve! Amin!”

Fotot: Nuri ÇUMANI