
Dita e sotme, e hënë 10 gusht 2026, është një ditë e veçantë për bektashinjtë, pasi 31 vite më parë, u nda nga kjo jetë baba Rexhebi, klerik i njohur për kontributin e tij fetar e atdhetar, jo vetëm në Amerikë por në gjithë botën. Ritet përkujtimore të kësaj dite do të organizohen jo vetëm në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, por dhe në gjyshatat e tjera në Shqipëri e në botë.
Lidhur me këtë datë përkujtimore, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, ndër të tjera tha: “…Dita e sotme e 31 viteve më parë, në moshën 94-vjeçare mbylli sytë në teqenë bektashiane të Detroitit, në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shenjtori ynë, baba Rexheb Beqiri, i cili me vullnetin e tij e ktheu teqenë në një shenjtore të vërtetë, që jo vetëm praktikuan ritet dhe traditën bektashiane, por ditën gjithashtu të ruanin të paprekur esencën e tarikatin, vëllazërinë brenda tyre, vëllazërinë me krejt racat, etnitë dhe dallimet fetare në vendin kampion të demokracisë… Baba Rexhebi la pas një vepër të shkëlqyer fetare e atdhetare. Që nga maji i vitit 1954, teqeja bektashiane e Detroitit mban emrin e shenjtorit, baba Rexhebi. Ndaj ne sot, përulemi sot me repeskt të thellë për këtë bektashi dhe shqiptar të madh…”-
Baba Rexhebi, u lind më 18 gusht të vitit 1901 dhe kaloi nga kjo jetë, më 10 gusht 1995. Jeta dhe vepra e këtij kleriku të madh me përmasa botërore kontribuoi, që bektashizmi të mbahet gjallë në botë, kur në Shqipëri me ligj u mbyllën institucionet fetare nga viti 1967 deri 1990. Baba Rexhebi përballoi me stoicizmin e vet karakteristik, vuajtjet e pafund të mërgimtarit, për të çelur atje të parën shtëpi të Haxhi Bektash Veliut, në Amerikë. Ky mision u arrit falë thesarit të harmonisë fetare ndër shqiptarët e Amerikës dhe sidomos të ndjenjave kombëtare të At Fan Nolit. Ishte pikërisht ky dishepull i krishtërimit shqiptar, i cili mblodhi shqiptarët pa dallim feje dhe kontribuoi shpirtërisht dhe financiarisht për ngritjen e teqesë bektashiane.
Me këtë rast, nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, përkujton dhe vlerëson këtë klerik të shquar.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ


