URIM I KRYEGJYSHIT BOTËROR TË BEKTASHINJVE, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ, PËR FILLIMIN E VITIT TË RI SHKOLLOR 2026-2027

Nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor për parauniversitarët, uron dhe bekon për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, një vit përpjekje të suksesshme për më shumë dije, shëndet e lumturi, në të mirë të vetes, familjes e atdheut.
Ndër të tjera, në urimin e Dede Edmond Brahimajt thuhet: “…Në cilësinë e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, me rastin e vitit të ri shkollor që nis të hënën më datë 14.09.2026, uroj e bekoj të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit e tyre, për një vit të mbarë e me begati. ! Shpresoj dhe besoj se si çdo vit shkollor, ashtu edhe ky vit, duhet të jetë një kontribut i çmuar në formimin tuaj, si nxënës, si qytetarë e mbi të gjitha, si njerëz. Prandaj angazhohuni dhe studioni seriozisht. Bëhuni protagonistë të jetës shkollore, duke përcjellë aftësi, pozitivitet, edukatë, bashkëpunim, tolerancë, arritje. Shkolla është një vlerë që do ju vlejë për të gjithë jetën. Përpiquni të punoni fort, për arritje të suksesshme. Personalisht, simbolika e kësaj dite, më lidh akoma më shumë me historinë 800-vjeçare të bektashizmit. Pa më të voglën mëdyshje, në vargun e gjatë dhe të lavdishëm të mësuesve, unë do të renditja edhe qindra klerikë bektashianë, të cilët i shndërruan teqetë e tyre në vatra të dijes dhe mësimit të gjuhës shqipe. Së bashku me shpresën tek Zoti i Madh, ata ushqyen breza të tërë, me dashurinë për Atdheun dhe shenjtërinë e lirisë.
Duke vlerësuar nevojën e arsimimit e dijes, duke punuar sa më shumë në këtë drejtim, ju do ti përmbushni sot e në vijimësi detyrimet tuaja karshi familjes e vendit, duke kontribuar në arritjen e një jete më të mirë, të një paqe të qëndrueshme, një dashuri më të fortë vëllazërore, duke përballuar me sukses të gjitha sfidat e jetës.
Nder dhe respekt të veçantë, mësuesve të djeshëm dhe të sotmëve. Urime lehtë për të gjithë Ju! Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin!”