
Në përkujtim të 93-vjetorit të lindjes së Baba Shaban Dervishit, kujtojmë me nderim jetën, përkushtimin dhe kontributin e një prej klerikëve të shquar bektashianë, i cili ia kushtoi jetën Udhës së Haxhi Bektash Veliut dhe shërbimit ndaj besimit e komunitetit.
Shaban Ram Dervishi lindi në vitin 1933, në Gjon të Martaneshit, në një familje me tradita të njohura bektashiane. Që në moshë të re ai u afrua me jetën shpirtërore dhe mësimet e besimit, ndërsa familja e tij vizitonte shpesh teqenë e Martaneshit dhe kryente pelegrinazhe në Ballenjë.
Në rininë e tij u bë myhib në teqenë e Zerqanit, nën kujdesin e Baba Selim Kaliçanit. Më pas, në teqenë e Elbasanit, mori mësime dhe udhëzim shpirtëror nga Baba Ali Porodina.
Në vitin 1956, në moshën 22-vjeçare, u vesh dervish dhe u dërgua për të shërbyer në teqenë e Bllacës, ku shërbente edhe Baba Xhemal Selca. Vitet e monizmit e përballën me vështirësi dhe persekutim, por ai nuk u nda kurrë nga besimi dhe misioni i tij bektashian.
Pas ndryshimeve politike të vitit 1990, Baba Shabani u bë ndër klerikët e parë që kontribuan në ringritjen e institucioneve dhe objekteve të kultit bektashian në Shqipëri, duke shërbyer përkrah figurave të njohura të bektashizmit shqiptar, si Dede Reshat Bardhi, Baba Selim Kaliçani, Baba Barjami, Baba Neki dhe Baba Sherifi.
Me porosi të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhit, ai shërbeu në teqenë e Sari Salltikut në Krujë. Në shkurt të vitit 1994 kreu Haxhin në Mekë, ndërsa më pas shërbeu në Malin e Tomorrit, ku dha një kontribut të çmuar në ringritjen e teqesë së Kulmakut, tyrbes së Abaz Aliut dhe tyrbes së Dervish Iliasit.
Në shtator të vitit 2013, Baba Shabani u ngarkua të shërbente në teqenë e Dervish Shabanit në qytetin e Krujës, ku vijoi misionin e tij fetar deri në fund të jetës.
Baba Shaban Dervishi u nda nga jeta më 23 shtator 2014, duke lënë pas kujtimin e një jete të përkushtuar ndaj besimit, traditës dhe vlerave të larta njerëzore e shpirtërore.
Në 93-vjetorin e lindjes së tij, figura dhe vepra e Baba Shaban Dervishit kujtohen me respekt dhe mirënjohje nga kleri dhe besimtarët bektashianë. Jeta e tij mbetet një shembull i përkushtimit, qëndresës dhe shërbimit në Udhën e Shenjtë të Haxhi Bektash Veliut.
Përgatiti: xh. Cullhaj

