HAXHI DEDE BABA EDMOND BRAHIMAJ ZHVILLOI TAKIM KORTEZIE ME KRYETARIN E KOMUNITETIT MYSLIMAN TË SHQIPËRISË, HAXHI BUJAR SPAHIU

Kryegjyshi Botëror Bektashi, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, zhvilloi një takim kortezie në ambientet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku u prit nga Kryetari i këtij institucioni, Haxhi Bujar Spahiu.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe vëllazërore, duke dëshmuar respektin e ndërsjellë dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet dy institucioneve fetare. Gjatë bashkëbisedimit u shkëmbyen mendime mbi rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe mbi rolin e përbashkët të institucioneve fetare në jetën shpirtërore dhe shoqërore të vendit.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua vlerave të paqes, tolerancës, solidaritetit dhe harmonisë ndërfetare, të cilat përbëjnë themele të rëndësishme të traditës dhe identitetit shqiptar. Në këtë kontekst, u vlerësua se bashkëjetesa dhe harmonia ndërmjet besimeve fetare në Shqipëri përbëjnë një trashëgimi të çmuar kombëtare, e cila duhet ruajtur, kultivuar dhe përcjellë te brezat e ardhshëm.

Të dy drejtuesit fetarë shprehën vlerësimin për marrëdhëniet e konsoliduara ndërmjet institucioneve që përfaqësojnë, duke nënvizuar rëndësinë e vijimit të dialogut dhe bashkëpunimit në frymën e respektit reciprok, vëllazërisë dhe përgjegjësisë së përbashkët ndaj besimtarëve dhe shoqërisë shqiptare.

Takimi përbën një dëshmi të mëtejshme të marrëdhënieve të mira ndërmjet Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe të angazhimit të tyre të vazhdueshëm në shërbim të harmonisë fetare, dialogut dhe bashkëjetesës paqësore në vend.