22 mars 2018.
Si çdo vit u kremtua në Selinë e Shenjtë përmes gëzimit dhe entuziazmit të besimtarëve të ardhur nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i zi, festa e Sulltan Novruzit.
Sulltan Novruzi është festa më e madhe e besimtarëve bektashianë në të gjithë botën, është dita e rigjallërimit, e që simbolizon ardhjen e pranverës dhe harmoninë mes njerëzve. Kjo përkon gjithashtu edhe me ditën e lindjes së Imam Aliut, një prej shenjtorëve më të mëdhenj dhe i pari i dymbëdhjetë Imamëve.
Përshëndeti Kryegjyshi Botëror, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ku krahas urimeve dhe lutjeve të rastit bëri edhe një urim të veçantë për të gjithë besimtarët bektashinj në Maqedoni: “Një urim i veçantë sot për vëllezërit tanë bektashinj në Maqedoni si gjithë shqiptarët atje fituan të drejtën për të folur e shkruar gjuhën shqip”.