Ditën e djeshme, më 3 Maj, në mjediset e Hotel Rogner International, në Tiranë, u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare për dialogun midis besimeve: “Shqipëria, një model i harmonisë ndërfetare për Evropën”. Organizatorët e saj, me mbështetjen e Ambasadës së Austrisë në vendin tonë, ishin Universiteti “Beder”, Kolegji Universitar “Logos” dhe Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”. Në të morën pjesë kryetarët e Komuniteteve Fetare, klerikë, përfaqësues shtetërorë, akademikë, kërkues e teologë nga Shqipëria dhe Evropa etj. Me mjaft interes u ndoq në këtë konferencë fjala e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ndër të tjera Kryegjyshi theksoi: “...Shembulli i harmonisë dhe paqes fetare në Shqipëri, padyshim është emblematik. Myslimanët shqiptarë syni dhe bektashi, janë bashkuar me vëllezërit e tyre të krishterë në çdo lëvizje antiosmane, për pavarësinë dhe prosperitetin e trojeve tanë. E njëjta situatë na ka bashkuar me të krishterët shqiptarë, kur jugu i vendit pushtohej prej grekëve apo veriu prej serbëve, për t’u finalizuar në lëvizjen e madhe kombëtare të Luftës së Dytë Botërore. Ne lider fetarë dhe besimtarë të zakonshëm, duke adhuruar me devocion Krijuesin, duke ruajtur dhe respektuar traditat fetare dhe atdhetare, sidomos në vitet e inkuizicionit antifetar komunist 1967-1990, i rrëfyem Europës së qytetëruar, se pavarësisht stuhive të çfarëdollojshme, dashuria për Zotin, për njeri-tjetrin, mirëkuptimi dhe solidariteti fetar, mbeten si një xhevahir i mrekullueshëm në gjerdan të identitetit tonë. Është kjo arsyeja, të nderuar të pranishëm, që Papa Françesku, në vizitën e tij në Shqipëri në vitin 2014, shkoi shumë larg në lidhje me konceptin e harmonisë fetare, duke thënë se, ‘tek ju ekziston vëllazëria fetare’. Ky vlerësim i madh për një komb të vogël, mbetet padyshim një nder i veçantë, po ashtu dhe detyrim për të ruajtur e zhvilluar më tej vëllazërinë fetare, për ta ruajtur atë nga çdo ekstremizëm i kohës. Sepse pa dyshim, ky rrap degëgjerë dhe madhështorë i vëllazërisë sonë fetare, duhet parë me kujdesin më të madh, duke shmangur çdo lloj prirjeje ekstremiste fetare, pavarësisht nga cila epokë, apo cili vend vjen. Ruajtja e identitetit tonë fetar, na jep të drejtën të trokasim kreylartë në dyer e familjes europiane”.
Në fund, kryetarët e Komuniteteve Fetare nënshkruan një deklaratë të përbashkët.