22 gusht 2018. Ceremonia tradicionale e Kryegjyshtatës Botërore Bektashiane në Malin e Tomorrit

Ditën e djeshme, më 22 gusht 2018, nën përkujdesin e veçantë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane - Selia e Shenjtë dhe Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u zhvillua ceremonia tadicionale e pelegrinazhit të përvitshëm 5 ditor në malin e Tomorrit, në Berat, me rastin e festës së Abaz Aliut. Në këtë ceremoni ku morën pjesë me qindra e qindra besimtarë dhe jo vetëm, të ardhur këto ditë nga e gjithë bota në malin e Tomorrit, mori pjesë dhe përshëndeti edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij Z. Ilir Meta.
Kryegjyshi Botëroror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj në fjalën e rastit dha mesazhe paqeje, urimi, bekimi, mëshire dhe vuri theksin te sheshet e kësaj teqeje që mbushen kurdoherë me besimtarë që rriten nga viti në vit duke e kthyer këtë vend të shenjtë në një qendër të rëndësishme të faljes, mëshirës dhe afrimit me krijuesin.
Në prani të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj dhe mijëra besimtarëve bektashianë, Presidenti Meta vlerësoi pelegrinazhin e përvitshëm madhështor në malin e Tomorrit, ndërsa foli edhe për figurën e jashtëzakonshme të Abaz Aliut, që edhe sot e kësaj dite vazhdon të frymëzojë brezat e rinj dhe besimtarët bektashinj.