Matemi është agjërimi i zisë, ose zija përkujtimore në nderim të veprës së martirëve të Qerbelasë. Agjërimi i bektashinjve dhe i tarikateve të tjerë alevian, zgjat 10 ditë të muajit hënor të Muharremit (Muaji Muharrem është fillimi i vitit të ri Hixhri sipas kalendarit myslyman), kur përkujtohen në shenjë zie e respekti 72 dëshmorët që ranë heronj në Qerbela, me në krye Imam Hysenin. Këto ditë bektashinjtë e të tjerë mblidhen në teqetë e ndryshme, ku udhërrëfyesit (klerikët) lexojnë me zë të lartë “Hadikanë”, bëjnë ritualin e përditëshëm, duke përkujtuar vuajtjet e profetëve e ngjarjen tragjike të Qerbelasë, për shërbimin e tyre të shenjtë në të mirë të njerëzisë, duke predikuar rrugën e drejtësisë, paqes, vëllazërisë dhe përsosmërisë njerëzore.
Këdimi i Hadika Suada, ( Lulishtja Shenjtorëve) nis çdo ditë paradite nga ora 10:00 deri në orë 12:00, nga e cila kujtohen me shumë dashuri dhe besim vuajtjet dhe sakrificat e Profetëve të Ehli Bejtit.
Hadikaja është e ndarë në 10 Epiloge:
Dita e parë: u kushtohet vuajtjeve të profetëve: Adem, Nuh, Ibrahim, Jusuf, Musa dhe Krisht,
Ditën e dytë: për Profetin Muhamed (a.s),
Ditën e tretë: për Imam Aliun,
Ditën e katërt: për Imam Hasanin,
Ditën e pestë: për lindjen dhe jetën e Imam Hysenit,
Ditën e gjashtë: për ikjen e tij nga Medina në Mekë,
Ditën e shtatë: për vrasjen e Myslym Akilit dhe dy djemve të tij, Myftarin dhe Ibrahimin,
Ditën e tetë: për nisjen e Imam Hysenit për në Kufë,
Ditën e nëntë: për mbërritjen e tij në Qerbela dhe,
Ditën e dhjetë: për martirizimin e tij dhe të dëshmorëve të tjerë. Për arsye që trimat e kësaj tragjedie shkuan në ahiret, buzëtharë, në këto ditë nuk pihet ujë.
Agjërim të lehtë vëllezër dhe motra të kudo ndodhur në Shqipëri, Botë dhe më gjerë.