Mesazh ngjyshëllimi, i Kryegjyshit Botëror, për ndarjen nga jeta të Sadije Agollit!

Lajmi për kalimin nga kjo jetë e të urtës Sadije Agolli, më trishtoi pa masë. Ishim mësuar që në çdo rast që takoheshim me Dritëronë tonë, me bektashiun këngëplotë, Sadijen ta kishim pranë. Ajo rrethonte me kujdesin dhe dashurinë e thellë, jo thjesht Dritëroin, por krejt njerëzit që i ai i donte dhe ata e deshën. Ajo na mësoi sesi të heshtnim përpara artit të mrekullueshëm të birit të Devollit.
Të qoftë dheu i lehtë motra ime, Sadije! Kemi biseduar shpesh së bashku pas largimit të Dritëroit dhe kam mundur të shquaj pikëllimin tënd të përzjerë me mallin për të. Përmes lotëve ti ke mbajtur të gjallë kujtimin e Dritëroit në këtë botë, duke na rrëfyer vepra të tjera të gjeniut të letrave shqipe.
Tani jam i sigurtë që dë të jeni të pandarë edhe në botën e përtejme, siç ishit në këtë botë të përkohshme, në vëmendjen e të Gjithëmëshishmit.

KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE
HIRËSIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ