Ditën e sotme, datë 20 mars 2019, në mjediset e Selisë Bektashiane në Tiranë, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u zhvillua Simpoziumi Ndërkombëtare “Bektashizmi në Ballkan, historia e djeshme dhe sfidat e sotme”. Në këtë aktivitet të përvitshëm, krahas klerikëve bektashianë nga Shqipëria e vende të tjera, merrnin pjesë dhe Kryetar i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Reiz Ulema Refat Fejziç; Kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ajni Sinani; përfaqësues i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Lauren Luli; President i Shtëpisë Sufi të Francës, Sheik Abdel Afid; përfaqësues i Bashkisë së Tiranës, z. Andis Seferi, etj.
Pas përshëndetjeve nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe të ftuarve të mësipërm, eventi vazhdoi me panelin e kumtesave, ku folën historianë e studiues të bektashizmit nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Turqia, Franca, Gjermania, Bullgaria etj..
Fjala e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj:
Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
I nderuar Kryetar i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Reiz Ulema Refat Fejziç!
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ajni Sinani!
I nderuar përfaqësues i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Lauren Luli!
I nderuar, President i Shtëpisë Sufi të Francës, Sheik Abdel Afid!
I nderuar përfaqësues i Bashkisë së Tiranës, z. Andis Seferi!
Të nderuar studiues bektashianë dhe miq të Selisë sonë të Shenjtë, të ardhur nga Franca,Gjermania, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Turqia, Bullgaria etj.
Të nderuar vëllezër të mijë, klerikë dhe besimtarë bektashianë të ardhur nga trevat shqiptare!
Kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur sot të ndajmë së bashku ide dhe mendime për të shkuarën, të sotmen dhe të nesërmen e tarikatit bektashian, ndaj më lejoni t’ju falënderoj dhe uroj: Paçi kurdoherë fat dhe mbarësi ju dhe familjet tuaja! Zoti i Lartë, imamët tanë, dervishët dhe baballarët bektashinj, ju qofshin pranë në çdo rrahje të zemrës suaj!
Është me të vërtetë shumë domethënës fakti që, Selia e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, ndonëse përmes përgjegjësive të mëdha, ndonëse përmes ngjarjesh , ndonëse përmes privacionesh social dhe ekonomikë, ka gjetur mundësinë që çdo pranverë, në prag të festimeve të Sulltan Novruzit, të ditëlindjes së Imam Aliut, të organizojë evente të tillë që i shërbejnë jo thjeshtë edukimit tonë, por edhe kujtesës historike bektashiane. Ne kemi qenë dhe mbetemi të vetëdijshëm se tarikati të cilit i përkasim, ndonëse ka zënë fill tetë shekuj më parë, ka ecur përmes shtratit të vet fetar, doktrinor dhe zakonor, duke u pasuruar në vende dhe kombe të ndryshëm, duke u zgjeruar me ujërat e kthjellëta të mistikës islame, për t’u derdhur në detin e pafund të devocionit ndaj Krijuesit dhe dashurisë njerëzore.
Ne gjithashtu jemi po kaq të vetëdijshëm se tarikati bektashian në viset e Ballkanit, i sendërtuar qysh në shekullin e 13-të, ka mundur të fitojë territore shpirtërorë të pastër, vetëm e vetëm nëpërmjet ndjenjave të
kulluara njerëzore e fetare, që ushqejnë dashuri pa dallim race, ngjyre apo etnie. Si një urë bashkimi me themele në shpirtrat e besimtarëve, bektashizmi ka mundur të ndikoj në të mirë të situatave etnike, jo thjeshtë në kontekstin fetarë, por edhe në filozofinë e moralit njerëzor. Teqetë bektashiane në ish-Jugosllavi, Rumani, Bullgari, Malin e Zi, Kosovë, Maqedoni Veriore, Greqi etj, ishin vatra vëllazërimi, ku besimi në Zot udhëhiqej kurdoherë nga ideja e të qenit shtëpi shprese për të gjithë, ku klerikët bektashianë, përveç urtësisë proverbiale të Haxhi Bektash Veliut, përçuan vetëm mirësi dhe paqe.
Ne sot ndjehemi krenarë sepse edhe në viset shqiptare, tarikati bektashian erdhi e hodhi rrënjë përmes urtësisë dhe përvuajtjes. Historiografia ballkanase por edhe më tej, kanë dëshmuar prej kohësh se bektashizmi në Shqipëri ka qenë aktiv jo thjeshtë në perceptimet dhe lëvizjet doktrinore të tij, por edhe në identifikimin e frymës së tij me lëvizjet nacionale. Është fakt i pamohuar se teqetë bektashiane në viset shqiptare, sidomos në shekullin e 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të, ishin shndërruar në fole për mësimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe, ashtu sikundër dihet tanimë se qindra dervishë e baballarë tanët, u flijuan në lëvizjen tonë kombëtare, të nisur nga deviza madhore se “Pa atdhe, nuk ka fe!.”. Emrat e këtyre klerikëve, sot e në çdo kohë, do të ndriçojnë udhën tonë drejt përsosmërisë njerëzore, drejt paqes universale.
Një homazh i thellë, shkon sot për myrshidin tonë, të shtrenjtin Haxhi Dede Reshat Bardhi, pa kontributin dhe frymën e të cilit, vështirë se mund të kishim ringritur besimin bektashian në lartësitë botërore të sotme.
Motra dhe vëllezër!
Pavarësisht se çfarë kemi arritur dhe çfarë synojmë të arrijmë në lartësinë e përgjegjësive të Qendrës Botërore Bektashiane, ne jetojmë në një Shqipëri plot halle dhe vështirësi, përpara të cilave nuk mbyllim dot sytë, edhe në ditë të tilla të bekuara marsi.
Në vijimësi ne u jemi drejtuar faktorëve politikë të Shqipërisë, të ulen si në kafeoxhakët e teqeve, të dëgjojnë njeri-tjetrin, të pranojnë fjalët e mira dhe jo të tilla, të mendohen e pastaj të dalin në popull të flasin. Unë
personalisht gjykoj se nëse nuk udhëhiqet nga dashuria për kombin, asnjë lloj politike nuk është e mjaftueshme, sado të bukura të jenë deklaratat, sepse realiteti që po kalojmë është i trishtë dhe i vështirë. Por edhe përballë këtij realiteti, teqetë në Shqipëri përcjellin vetëm paqe dhe shpresë.
Ndërkaq, jemi të bindur se çdo kontekst fetar shpreh marrëdhëniet dhe lidhjet e ngushta të tij, me realitetet e mbushura plot mllefe të verbër. Ngjarja e para disa ditëve, ku në Zelandën e Re humbën jetën 50 besimtarë myslimanë, duke falur namazin, prej dorës së një terroristi është jo thjeshtë tragjike, por edhe e frikshme. Duke u lutur për shpirtrat e të vrarëve në xhami, ne bektashinjtë e kudo ndodhur në botë, dënojmë fuqishëm këtë akt makabër dhe bashkohemi në pikëllimin e myslimanëve të botës. Ne kemi ardhur të ndryshëm në këtë jetë, sepse i tillë qe vullneti i Zotit. Dhe ky vullnet, do të jetë kurdoherë i pranishëm në botë, duke na dhënë forca të bashkohemi dhe askurrë të mos trishtohemi, përballë situatave të tilla, sepse për ne, janë paqja dhe mëshira hyjnore, jo luftërat.
Zoti u bekoftë të gjithëve!
Amin!
Fjala e Kryegjyshit Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij
Haxhi Dede Edmond Brahimaj
Selia e Shenjtë, 20 mars 2019