22 mars 2019.
Ditën e sotme, si çdo vit, u kremtua në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane përmes gëzimit dhe entuziazmit të besimtarëve të ardhur nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i zi, festa e Sulltan Novruzit.
Sipas historisë së besimit bektashi, kjo ditë që përkon me lindjen e Imam Aliut në Qabe, simbolizon lindjen e shpresës dhe rigjallërimin e natyrës. Me filozofinë, përpjekjet dhe sakrificat e tij sublime, si dhe roli e kontributet e qenësishme të bektashinjve shqiptarë në rrjedhën e historisë, shembulli I Imam Aliut përbën garanci për të tashmen dhe të ardhmen jo vetëm të këtij besimi, por edhe të gjithë shoqërisë sonë. Dita e Sulltan Novruzit njihet si dita e fisnikërisë bektashiane. Sipas traditës, besimtarët e nisin ditën me urimet më të mira për mbarësi, mirëqënie dhe paqe.
Kryegjyshi Boteror i Bektashinjve, Hirësia e Tij Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj ka përcjellë sot urime të ndjera me rastin e Ditës së Sulltan Nevruzin, ngjarje e shënuar e besimit bektashi. “22 marsi do na nxisë dita ditës për më shumë dashuri me njëri tjetrin. I lutem zotit lart për një të ardhme sa më të mirë dhe jo numëro këto realitete të trishtuar. I kërkoj shqiptarëve të mos braktisin Shqipërinë. Zoti i bekoftë të gjithë!” tha Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj. Ai foli dhe për tragjedinë e ndodhur pak ditë më parë në Zelandën e Re, ku shumë persona u vranë duke falur namazin në xhami. “Të kthehet në paqe shpirti i tyre, duke dënuar çdo akt dhune dhe terrorizmi” tha ai.