Në datat 1 dhe 2 Prill 2019, në Hovburg - Vien, Kryegjyshi Botëror, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mori pjesë në konferencën : "Takimi plotësues i dimensionit njerëzor" - duke respektuar parimet e tolerancës dhe mosdiskriminimit, duke përfshirë promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së fesë ose besimit.
Fjala e plotë e Kryegjyshit Botëror:
Principet e tolerancës dhe mosdiskriminimit, përfshi promovimin e lirisë së fesë dhe besimit!
Bismilahi, Rrahmani, Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar organizatorë të kësaj konference!
Vëllezër të mijë, përfaqësues të feve në Shqipëri! Është kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë event dhe më lejoni t’ju uroj e bekoj në cilësitë e Kryegjyshit Botëror Bektashian si dhe të miliona besimtarëve në gjithë botën: Paçi fat e mbarësi në familjet tuaja! Zoti i Lartë u shpërbleftë devocionin që rrëfeni ndaj tij!
Principet e tolerancës fetare janë plazmuar qysh në vitet e lindjes së Islamit, nëpër ata shekuj të mugëtirave ku padija ishte shtrirë në shpirtrat njerëzorë. Nuk mund të lindë e të zhvillohet një fe apo besim, pa pasur në embrionin e vet, embrionin e bashkëjetesës fetare, atë të komunikimit me zemër ndaj çdokujt, pavarësisht racës, ngjyrës apo etnisë. Këtu nuk është vendi të bëjmë histori, por tanimë historiografia myslimane dhe jo e tillë, ka evidentuar prej kohësh sjelljen e mrekullueshme të Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi ‘të) ndaj armiqve të tij, ditën kur hyri çlirimtar në Mekë. Ai mposhti brenda vetes çdo ndjenjë hakmarrëse, duke i ftuar ndjekësit e tij, të konturonin trajtat e mëdha të mëshirës universale islame. Por edhe në vitet që rrodhën më pas, edhe pas sulmeve të ashpër fizikë dhe doktrinorë, ideja e tolerancës fetare ushqeu ndjekësit islamë në krejt vendet ku ata e përfaqësuan këtë fe, ku ata ishin të prirë të edukoheshin me këtë frymë hyjnore. Madje, nëse keni parasysh kontekstet fetarë në shekujt e parë të lindjes së Islamit, mendoj t’ju kujtoj sot shprehjen e mrekullueshme të Profetit tonë, i cili porosit për kundërshtarët se: “Ne do t’ju bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet tona në horizonte dhe brenda vetes së tyre, deri në atë masë sa t’u bëhet e qartë se ai (Kurani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?”. (Kurani, Fussilet:53).
Ndonëse fati ynë, i shqiptarëve, ka ecur përmes trazirave ballkanike dhe më gjerë, ne së paku mund të krenohemi me frymën e tolerancës midis feve. Ky akt sigurisht, është vullnet i Zotit, por vlen të mos harrohet për asnjë çast se klerikët dhe objektet e kultit, xhamitë, kishat, teqetë apo të tjera, me atë dhembshuri proverbiale për Atdheun, kanë mundur të edukojnë breza të tërë besimtarësh me devocionin e palëkundur ndaj Krijuesit.
Pikërisht ky devocion, na ka mbushur zemrat tona me dashurinë për vëllanë që kemi në krah, madje, në plot raste kemi gjetur frymëzimin e madh brenda familjes fetare, duke i shtuar vlera relevante vetë familjes biologjike.
Vetë tarikati bektashi të cilit i përkas, prej tetë shekujt të lindjes dhe zhvillimit të tij, nga Azia në Europë dhe deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Kanada, i ngjanë një lumi të gjerë e madhështor, i cili në thellësi të ujërave të tij, mbanë perlat e dashurisë ndaj Krijuesit, Atdheut, familjes dhe moralit më të vyer njerëzorë. Të ushqyer me nderimin për thelbin e mirësive që gjenden tek çdo njeri, ne e kemi perceptuar kurdoherë mëkatin si armik të tij, ndërsa mëkatarin si një zog krahë-thyer në stuhi, që kërkon jo thjeshtë mëshirë, por edhe ndihmë për të shpëtuar. Deviza jonë në këtë kontekst, kanë qenë dhe mbeten vargjet e famshëm të Xhelaludin Rumiut, i cili thotë:
Eja! Eja! Kushdo që të jesh, prap eja!
Mohues, zjarrdhurues ose idhujtar po të jesh eja!
Selia jonë e Islamit, nuk është fole e pesimizmit!
Njëqind herë po e ke prishur pendimin, prapë eja!
Kur diversiteti vlerësohet si element dialogu, atëherë mozaiku fetar mbushet me dritë dhe përballë kësaj drite çdo shpirt shejtani verbohet. Vetëm në këtë sens, ne do të bëjmë të mundur të promovojmë liritë themelore të fesë dhe besimit. Unitetin e brendshëm të sendërtuar me aq mundim e sakrifica brenda çdo feje apo besimi, filozofinë dhe doktrinat që na prijnë, ne vlen t’i konsiderojmë si frymë ekzistenciale për harmoninë e tyre, por askurrë si dukuri që na forcon për “t’u hedhur” në sulm ndaj komuniteteve të tjerë fetarë!
Ne kemi qenë dhe mbetemi bij të një Zoti të vetëm. Më lejoni t’ju kujtoj thënien e vyer të Papa Gjon Pali II në vitin 1982 në Nigeri: “Ne adhurojmë Zotin dhe shpallim një nënshtrim të plotë ndaj Tij. Në këtë kuptim pra, mund të thërrasim njeri-tjetrin vëllezër dhe motra për shkak të besimit në një Zot të vetëm.” Solidariteti dhe vëllazëria jonë fetare besoj se do të mbeten jo thjeshtë një filozofi bashkuese, por një frymë e shenjtë, një udhëheqje për veprim, një realitet për të cilin vlen të kujdesemi për të gjithë. Kohërat që po kalojmë, ngjarjet e fundit në Zelandën e Re apo Hollandë, na bëjnë më ët vetëdijshëm në unitetin tonë për një paqe universale.
Ju faleminderit!
Kryegjyshi Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj