Ditën e sotme, në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane - Selia e Shenjtë, nën kujdesin e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u përkujtua tetë vjetori i kalimit nga jeta të Haxhi Dede Reshat Bardhit, ish Kryegjyshit Botëror Bektashian dhe klerikut që ka meritën e padiskutueshme të ringjalljes së këtij besimi e ringritjes së objekteve të para pas ndryshimeve politike të vitit 1990.
ME BEKIMIN E TIJ
Me bekimin e Dede Reshatit dhe me drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimajt, ne sot pas tetë vitesh, kemi çuar në vend porositë dhe dëshirat e tij që i ideoi, i nisi, por nuk arriti që ti realizoj pasi u nda nga kjo jetë. Odeoni që ishte meraku i tij, përfundoi dhe sot është vepër unikale në botë, një mrekulli; u ringritën apo u ndërtuan nga e para dhjetëra teqe e tyrbe bektashiane; mjediset e Selisë së Shenjtë janë kthyer në një qytezë ku besimtarë e klerikë gjejnë mjedise e klimë për të pushuar, kuvenduar dhe për të gjetur paqe shpirtërore.
Dhe sot në këto mjedise ku jemi mbledhur në përshpirtje të 8 vjetorit të ikjes nga kjo jetë, në këtë drekë bektashiane në nder të Dede Reshatit, ne e kemi atë pranë si kudo në çdo hap të jetës, në misionin tonë… Ndaj ju themi me shpirt të gjithëve: Mirë se erdhët në kujtimin e Dede Reshatit, paçi shëndet, dashuri, paqe e mirësi në familjet tuaja!