Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, ka shtruar në ambjentet e Pallatit të Brigadave iftar në Natën e Kadrit.
Të pranishëm në këtë iftar ishin Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, përfaqësues të KMSH-së dhe komuniteteve të tjera fetare në vendin tonë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të shoqatave islame, personalitete nga fusha të ndryshme, artistë e gazetarë.
Rama vlerësoi dhe u uroi mirëseardhjen të ftuarve dhe shtoi se përjetimin e kësaj Nate të Mirë të Kadrit e bën më të ndjerë kumbimi i hijshëm i zërit të ezanit, i cili paqësisht, qetësisht, qartësisht thërret prej shembullit të përulësisë personale forcën e lutjes së përbashkët.
“ Ju qoftë i lehtë dhe i pranuar agjërimi të gjithë besimtarëve myslimanë këtu të pranishëm dhe ata që mbase na ndjekin përmes kamerave, të gjithë juve dhe të gjithë atyre që mu sipas fjalëve të shenjta janë në besë dhe gjithë sa janë i përngjiten paqes, larg ecejakeve të dasibërësve, zullumqarëve të pandreqshëm”, tha ndër të tjera Rama.