Të nderuar miq!
Si sot, pesë dekada më parë, u nda nga kjo botë, atdhetari, osmanologu dhe eruditi i shquar shqiptar Ferid Vokopola. Ai ishte dhe mbeti ndër mentarët e kombit, në radhët e burrave që krejt dijenitë e tyre i shpalosën përpara brezave.
Përmes erudicionit unik, Ferid Vokopola do t’i bënte një shërbim të shquar jo vetëm kulturës shqiptare, por edhe zhvillimeve të lëvizjes madhore kombëtare në vitin e madh 1912. Ai do të zgjonte mrekullisht ndjenjat e kulluara tonat, përmes frymëzimeve de shkrimeve në shtypin e kohës.
Sigurisht, në rrafsh të hulumtimeve, studimeve dhe përkthimeve brilante në teologjinë islame, ai do të mbahet mend edhe për një varg botimesh për tarikatin bektashian, ku diti të nxjerrë në pah vlerat tona të spikatura. Ndër këto shqipërime të rralla, unë do të përmendja librin e autorit Sejid Ahmet Rifat të titulluar “Pasqyra e Qëllimeve”, i cili për nga rëndësia doktrinore ka vendin e vet të merituar në memorien e brezave të klerikëve dhe besimtarëve bektashianë.
Por edhe lirikat e ndjera tek libri “Gjëmimi i Tomorrit” do të mbahen mend gjatë në kujtesën e lexuesve të vëmendshëm të viteve 30-të të shekullit që lamë pas, duke na kujtuar se Feridi ynë, ishte dhe mbetet vëzhgues i thellë i ndjesive hyjnore dhe njerëzore.
Faleminderit për trashëgiminë tënde letrare, miku ynë!
Kryegjyshi Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj
Ferid VOKOPOLA
(18 gusht 1887 – 28 qershor 1969)
Përfaqësues i Mistikës Islame
Në shtypin shqiptar të viteve ’20-’30, ndriçon pena e fuqishme e Ferid Vokopolës, një prej figurave poliedrike të kohës. Ai ishte politikan, ekonomist, teolog, poet, filozof dhe eseist.
Ferid Vokopola lindi në Vokopolë të Beratit në 18 gusht 1887. Atdhetar dhe njëri nga pjesëmarrësit e Kuvendit Kombëtar të Vlorës. Në 1920-n ishte ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës. Gjithashtu, iu përkushtua fesë. Ai përktheu Kur’anin dhe la në dorëshkrim Kalendarin Osman.
Më 28 nëntor 1912, Ferid Vokopola firmosi dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë, si delegat i Vlorës. Më 1914 bëri pjesë në ekipin e Ministrisë së Bujqësisë të Qeverisë së Durrësit. Pikërisht në këtë kohë ai hartoi kriterin e përkthimit dhe të komentimit të Kur’anit.
Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë u botua në gazetën “Përlindja e Shqypnijes”, organ i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, edhe nën kujdesin e firmëtarit më të ri të Aktit të Pavarësisë (vetëm 25 vjeç) Ferid Bej Vokopola.
Më 26.10.1927 deri më 10.5.1928 Ferid Vokopola mbuloi postin e Ministrit të Bujqësisë në Qeverinë Shqiptare. Në Kongresin e Lushnjës (21.1.1920) ai mbajti fjalën e hapjes dhe u zgjodh Sekretar. I frymëzuar nga kjo ngjarje historike, ai shkroi himnin e Kongresit të Lushnjes.
Stili i tij është atraktiv, gjuha plot figura, metrika e respektuar. Figurat e përdorura në poezinë e tij kanë karakter simbolesh, gjithmonë brenda botës së madhe të emocioneve.
Ai është përfaqësuesi më i shquar i misticizmit islam në Shqipëri, në gjysmën e parë të shekullit 20-të!
Poezia e poetit Ferid Vokopola është e udhëhequr tërësisht nga misticizmi dhe qëndron në tre përbërësit kryesor, njeriu, natyra dhe Zoti, ku mbi të gjitha qëndron Zoti. Për të ilustruar tre komponentët e mësipërm, po japim një strofë nga poezia “Mbarështrimi i gjithësisë” të botuar në librin e tij, “Fluturimet e shpirtit”.
”Si një gjë të vogël mos e kujto njerëzinë, Se në brendësinë e saj ka një botë!
Rrezet e gjithësisë nga një pikë vinë.... Dhe pastaj kthehen tek i madhi Zot.....”
Frymën e misticizmit islam e solli në vjershërimin poetik shqip Naim Frashëri, dhe e vazhdoi Ferid Vokopola. Pas Naim Frashërit, Ferid Vokopola ishte autori që përfaqësoi mistikën islame në Shqipëri. Ai shprehej në vargjet poetike:
“Fillonj` me emnin e t`madhit Zot Që është bekues e Mëshirplotë”.
Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 1939, Ferid Vokopola u tërhoq nga jeta politike dhe administrata shtetërore, duke iu kushtuar krejtësisht aktivitetit fetar. Në këtë kohë, ai themeloi në Tiranë organizatën fetare "Drita Hyjnore", që pati si organ të vetin revistën "Njeriu", e cila doli rregullisht nga korriku 1942 deri në qershor 1944. Në këtë revistë ai botoi një pjesë të shkrimeve të tij, ku shquhen në mënyrë të veçantë poezitë e tij simbolike me theks filozofik. Duke qenë njohës i mirë i mistikës islame, ai e përçon këtë frymë pothuajse në të gjitha poezitë e tij.
Ferid Vokopola pasqyroi në shkrimet e tij të drejtat më të respektuara të njeriut. E drejta e pluralizmit kulturor, ku kulturat e ndryshme zhvillohen së bashku dhe e drejta e pavarësisë kulturore, ku një kulturë zhvillohet e vetme në hapësirën e saj. Pra kultura e lindjes (perse) dhe ajo perëndimore u ngjizën në kulturën shqiptare, nëpërmjet inteligjencës krijuese të Ferid Vokopolës. Ai bëri përqasjen e kulturës dhe shkencës islamike në kulturën dhe shkencën shqiptare.
Pikërisht këtu, kontributi intelektual i Ferid Vokopolës është i rëndësishëm, i pazëvendësueshëm dhe emancipues në kulturimin dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Ky njeri i urtë e i kulturuar, erudit dhe me drejtësi të kulluar, mendjen e ndritur e zemrën e zjarrtë, fjalën e veprën e tij ia kushtoi prosperitetit dhe ngadhënjimit të atdheut dhe kombit.
Në përmbajtjen e shkrimeve të Ferid Vokopolës ne gjejmë një gërshetim të teorisë me praktikën, me misticizmin si epiqendër të saj. Politika e Ferid Vokopolës e definoi këtë teori si “Misticizmi me të gjithë karakteristikat e ngjashme të tij, është rruga e zakonshme e njohjes së të vërtetës, dhe ajo është boshti, i cili ka të përfshirë të gjithë atë luftë e përpjekje në kuptimin, ndikimin, këmbënguljen dhe përhapjen e veprës së ndritur të mirëbërësisë. Vetëm me dëlirësinë dhe vetëmohimin e njeriut, madhështia dhe krenaria e tij mund të arrihet, dhe e gjithë kjo nëpërmjet ngjizjes së të gjitha idealeve, të cilët pajtohen me qëllimin e lartë të pasurimit dhe zhvillimit të jetës njerëzore. Qenia njerëzore konsiderohet si mister i të gjitha mistereve, e zgjedhur midis të gjitha krijesave të Zotit, sa e vogël dhe e madhe në të njëjtën kohë, vetëm ai, njeriu, ka të drejtën për të depërtuar në brendësi të ligjeve të natyrës, i cili ka fituar përsosmërinë dhe jopërsosmërinë në vetvete”.
Edhe në fushën e përkthimeve nga osmanishtja, ai u shqua mbi të tjerë, duke prurë në shqip thesare të letërsisë dhe kulturës perse në veçanti dhe asaj islamike në përgjithësi.
Pushteti komunist e burgosi. Në qelinë e burgut nuk ra as në dëshpërim, as në pesimizëm. Në këtë kohë ai shpesh thoshte: “Unë nuk jam as pesimist dhe as optimist, por mundësist”. Dhe ai kishte të drejtë, mbasi mundësia vjen vetëm me punë dhe përkushtim të inteligjencës krijuese në krijimin e vlerave të shoqërisë dhe të kombit.
I bindur në pikëpamjet e tij islame, ai iu dedikua përkthimit të Kur’anit, punë të cilën ai e vazhdoi dhe e përfundoj për dhjetë vjet. Kur doli nga burgu, ai gjeti rreth e rrotull mjedise të tjera, larg lirisë së fjalës e të mendimit, kundërshtarë deri në armiqësi ndaj fesë. Në këto rrethana, duke zotëruar gjuhët orientale, ai iu ofrua Institutit të Historisë si bashkëpunëtor, duke i kaluar vitet e pleqërisë deri sa vdiq, në 28 qershor të vitit 1969, si përkthyes i dokumenteve historike nga osmanishtja.
Në tërësinë e përkthimeve të tij, ne mund të përmendim:
- “Pasqyra e Qëllimeve 1” – Sejid Ahmet Rifat
- “Pasqyra e Qëllimeve 2” – Sejid Ahmet Rifat
- “Thellësirat e Fantazisë” – Shehbenderzade Ahmet Hilmiu
- “Divani Ali”
- “Kuranin ”… e shumë të tjera, për përkthimin e të cilave me shumë devotshmëri e përkushtim, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, ka rastin të shprehë vlerësimet e saj për kontributin e çmuar të këtij përkthyesi të mistikës islame, si edhe të vlerësojë padiskutim energjinë e mendjes dhe forcën e shpirtit të Vokopolës në çdo mesazh të dhënë nga ai në shkrimet a përkthimet e
Sot, 50 vite nga ndarja e Ferid Vokopolës nga kjo jetë, vepra e tij flet shumë! Ajo që mund të pohojmë me bindje është se përkthimet e tij, kontributi i vyer në përcjelljen e pastër të mistikës, do të mbetet gjithnjë një përkujtim i dobishëm për brezat e ardhshëm!