Vizita e regjisorit të njohur Z. Muharrem Fejzo në Kryegjyshat dhe takimi i veçantë me Kryegjyshin Botëror

Ditën e sotme, Kryegjyshi Botëror Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, priti në një takim të veçantë Z.Muharrem Fejzo, regjisorin e 14 filmave më popullorë shqiptarë ndër të cilët përmendim tituj si “Kapedani”, “Mësonjtorja”, “Operacioni i zjarrit”, “Muri i gjallë” etj.
Z. Fejzo është autori edhe i bustit të Haxhi Bektash Veliut që ndodhet në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, po ashtu autor i shtatores së Dede Ahmetit vendosur në teqenë e Kuzum Babait në Vlorë, vepra të cilat artisti shumë përmasësh Muharem Fejzo i dhuroi Komunitetit Bektashian duke pasuruar vlerat dhe të ardhmen kulturore mbarë shqiptare.

Puna e parë, ajo dedikuar Dede Ahmetit u fillua në Selinë, që gjatë regjimit ishte edhe shtëpi mikpritëse e të gjithë besimtarëve dhe krerëve të bektashizmit, shtëpia e madhe e Ali Fejzos, ku në oborrin e shtëpisë filloi edhe puna në baltë për bustin gjigant të Dede Ahmetit,  ndjekur nga afër nga Dede Reshat Bardhi... më tej u dedh në allçi e bronx në ambientet e sapo hapura të teqesë së Kryegjyshatës, ndërsa puna me shtatoren e Haxhi Bektash Veliut u bë në studiot tashmë të aprovuara të Kryegjyshatës, si detajimi në baltë e allçi, po ashtu edhe derdhja ne bronx...  sot e kësaj dite këto pasuri të paçmuara i ngelën përjetë Komunitetit Bektashi.
Biografi
Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Fejzo bëri praktikë si sufler në Teatrin Popullor në Tiranë. Ai gjithashtu kreu studimet në degën e aktrimit dhe nga pasioni i madh që kishte për kinemanë, Muharrem Fejzo kontribuoi si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit. Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit. Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare. Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: Operacioni “Zjarri” (1973) dhe “Mësonjtorja” (1979). Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989.