Simpozium Kombëtar:Karakteri kombëtar i besimit bektashian dhe kontributi i baba Selim Gjirokastrës

Ka qenë një bashkëpunim i Selisë së Shenjtë Bektashiane me Universitetin “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës që nxori në pah vlerat atdhetare të tarikatit bektashian, të ngjizura me ngjarjet madhore të historisë së kombit. I organizuar në mjediset e Universitetit “Eqerem Çabej”, në prani të klerikëve të lartë, Rektorit, si dhe intelektualëve të jugut të Shqipërisë, përmes fjalëve përshëndetëse dhe kumtesave, ju hodh dritë mbi rrugëtimin e bektashizmit, sidomos në dy shekujt e fundit, si dhe rolit të spikatur të jetës dhe veprës së baba Selim Gjirokastrës, i cili 75 vjet më parë pati kaluar nga kjo botë, duke u lënë trashëgim brezave të ardhshëm visare të mrekullueshëm të besimit.
Në fjalën e Tij, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, pasi falënderoi të pranishmit, u kujtoi të gjithëve se veçanërisht në trevën e jugut të Shqipërisë, besimi bektashian kishte ardhur kurdoherë duke u rritur e zhvilluar, pasi ndjeshmëria e lartë e tij, besimi i përjetshëm tek Krijuesi, kishin qenë të pandarë prej trevave të Shqipërisë.