Haxhi Dede Edmond Brahimaj/ Kryegjyshi Botëror: Kongresi Parë Bektashian i Prishtës, eveniment i rëndsishëm për bektashizmin

Sot, 99 vjetori. Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj:
Vendimet e këtij Kongresi, platformë me rëndësi jetike fetare dhe atdhetare
Kongresi i Parë Bektashian i Prishtës, ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për bektashizmin

Nga Kujtim BORIÇI
Sot është një ngjarje e shënuar për miliona bektashinj në mbarë botën, pasi është dita kur 99 vite më parë, u mbajt Kongresi i Parë Bektashian i Prishtës (filloi më 14 dhe mbaroi më 17 janar 1921), vendimet historike të të cilit, luajtën dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm për tarikatin bektashian e më gjerë. Ky eveniment, përkujtohet me nderim e respekt të veçantë në të gjitha teqetë bektashiane në Shqipëri e jashtë saj, ndërsa në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane, ka pritje dhe aktivitete të konceptuar ende për këtë datë. “Rëndësia e kësaj ngjarje të rëndësishme, Kongresi i Parë Bektashian i Prishtës, është shumëdimensionale. Së pari, ky Kongres erdhi në një situatë kritike për vetë besimin bektashian, por dhe politik e ekonomik për Shqipërinë e vende të tjera  dhe pati synim riorganizimin e këtij tarikati në kushtet e reja. Së dyti, klerikët bektashinj që morën pjesë e firmosën edhe statutin, ishin e mbeten klerikë e intelektualë të njohur, atdhetarë që kishin treguar e treguan se janë jo vetëm predikues, por edhe zbatuar të parimit bektashianë, ‘pa atdhe nuk ka fe’.”- pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Konteksti historik i mbajtjes së Kongresit
Kongresi i Parë Bektashian i Prishtës, sipas dokumenteve të kohës (përfshi medien e shkruar), u mbajt në një situatë të vështirë politike dhe ekonomike jo vetëm për Shqipërinë, por shumë më gjerë. Kongresi i parë bektashian i Prishtës, në Skrapar ishte i veçantë sepse dhe rrethanat historike që po kalonte vendi ynë, lufta dhe përpjekjet e patriotëve shqiptar për çështjen e  kombëtarizimit të institucioneve fetare dhe pavarësimi i plotë i tyre ishte pjesë e procesit historik të konsolidimit të shtetit shqiptar. Sepse kish tendenca për të bërë më të thella dallimet krahinore, që pengonin ndërtimin e institucioneve politike, arsimore e bënin edhe më të lehtë ndërhyrjet e huaja. Duke penguar procesin si brenda dhe jashtë vendit. Prandaj pavarësimi i institucioneve fetare që në fillimet e jetës së pavarur shtetërore ishte një nyje e rëndësishme në kohën dhe vendin e duhur. Në grupin e përgatitjes së Kongresit të Parë të Prishtës, ndër kryesorët ishin baba Hyseijn, baba Ahmet, baba Ali Turabiu, baba Kamberi etj. Fakti që ky kongres i rëndësishëm, ndikoi në vazhdim edhe në përmirësimin e parametrave të mësipërm, rritjen e numrit të besimatrëve bektashianë, shtrirjen gjeografike të tyre, fuqizimin strukturor e organik të institucioneve bektashiane, rritjen e ndërgjegjes kombëtare, forcimin e besimit në Zot, tregon se ai ishte mbajtur në kohën e duhur, falë kulturës intelektuale e atdhetarëve të klerikëve të këtij besimi. Baballarët, me mençurinë e tyre dhe vizionarë e shikonin këtë proçes si pjesë  mbas Kongresit të Lushnjës si një proçes të rendësishëm për demokratizimin e shtetit shqiptar. Me kërkesat e tyre ndaj qeverisë së Sulejman Delvinës.

Mbajtja e kongresit në Prishtë
Vendosja për mbajtjen e kongresit në Prishtë, lidhet me shumë rrethane, por ndër më kryesoret, sipas studiuesve janë: Shtrirja masive e besimit bektashian në Shqipëri e sidomos në zonën e jugut të vendit; fakti që teqeja e Prishtës ishte një nga teqetë më të pasura dhe të rendësishme në Shqipëri, sidomos për rolin e saj që ka luajtur në fillim të periudhës post-otomane; fakti që klerikët që punonin e drejtonin teqetë bektashiane në këtë trevë kishin një aktivitet tejet të njohur fetar e atdhetar; pozicioni gjeografik i teqesë së Prishtës, i cili mundësonte ardhjen në këtë eveniment të rëndësishëm të klerikëve bektashianë si nga Shqipëria, ashtu dhe vende të tjera ku ky besim kishte shtrirjen e vet dhe aktivitetin e njohur etj.. Falë përgatitjeve të shumta organizative, teknike, logjistike e të tjera, më datën 14 janar të vitit 1921, nisi Kongresi i Parë Bektashian i Prishtës. Ky Kongres i suksesshëm, vazhdoi për katër dit rresht, duke i mbyllur punimet në datën 17 janar të këtij viti. Përveç baballarëve të teqeve, intelektualëve të njohur, në këtë Kongres mori pjesë dhe përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, Feim Zavalani. Kongresi, mbahet mend për shumë vendime të rëndësishme. Ndër ‘ta, ishte aprovimi i Statutit Bektashian, i cili u quajt “Lidhja bektashiane”, i cili kishte 28 nene gjithsej. Ai zgjodhi edhe “Këshillin Atnor”, të përbërë nga Gjysh Ahmet baba Turani, Xhemal baba Përmeti, Hajdar baba Turani-Korça Ahmet baba Elbasani, Gjysh Sulejman baba Gjirokastra, Mustafa baba Frashëri, Kamber baba Prishta.” Ky ‘Këshilli Atnor’(qendra në Sukë të Përmetit) që kishte shtatë anëtarë, kishte për detyrë organizimin e bektashizmit në Shqipëri e më gjerë, ndihmën dhe bashkëpunimin e ndërsjelltë mes gjyshatave etj. Ndër vendimet historike për të bektashizmin e çështjen kombëtare të tij, ishte dhe vendimi telja e shkollës për përgatitjen e klerikëve bektashianë që u quajt “Mësonjtorja bektashiane” si dhe përkthimi në shqip i literaturës bektashiane.

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj:
Kongresi i Parë Bektashian Prishtës, eveniment i rëndësishëm

“Ndër ngjarjet historike të bektashizmit, në historinë tetëqind vjeçare të ekzistencës së tij, padyshim që Kongresi i Parë Bektashian i Prishtës, ka vend të rëndësishëm.  Rëndësia e kësaj ngjarje të rëndësishme, është shumëdimensionale. Së pari, ky Kongres erdhi në një situatë kritike për vetë besimin bektashian, por dhe politik e ekonomik për Shqipërinë e vende të tjera  dhe pati synim riorganizimin e këtij tarikati në kushtet e reja. Kongresi u mbajt në periudhën 14-21 janar të vitit 1921. Ai u mbajt në një situatë delikate, kur në Turqi dhe krejt viset Aziatike, tarikati bektashian po gjendej nën zemërimin e verbër dhe dënimin kapital të pakuptimtë, pasojat e të cilit do të ishin shumë të rënda. Kongresi u mbajt falë dëshirës së Zotit, përunjësisë të klerikëv tanë ndaj udhës së ndritur të Haxhi Bektash Veliut, misionit të tyre për më shumë besim tek Krijuesi, më shumë paqe, urtësi, mirësi e dashuri për njeri-tjetrin, për kombin. Vendimet e tij janë të rëndësishme, vendime të cilat ndikuan shpejt në rritjen e fuqizimin  besimit tonë, në ndërtimin e mirëmbajtjen e teqeve tona, në forcimin e ndjenjës atdhetare etj... Në këtë kuadër, vendimet për hapjen e shkollës “Mësonjtorja bektashiane” për përgatitjen e klerikëve bektashianë dhe ai për përkthimin e literaturës bektashiane në gjuhën shqipe, ishin vendime të rëndësisë kapitale, gjë që koha e tregoi shumë shpejt. Ndaj përkujtimi i  99 vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Parë Bektashian të Prishtës, është një ngjarje e rëndësishme për ne miliona bektashinj në boçë e miliona të tjerë simpatizantë”-pohon për ‘Telegraf’ Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj.