O Zoti ynë i Lartë!
Vetëm Ty të dëgjuam, vetëm Ty të besuam dhe në kohëra të bukura apo të liga, vetëm tek Ty u mbështetëm. Veten tonë, shpirtin tonë, jetën tonë e lamë në duart e sigurta Tuat, sepse udhëtimi ynë, në të dy botët, udhëhiqet vetëm nga drita Jote!
O Zoti Ynë i Lartë!
Mbaji të hapura dyert e faljes dhe të mirësisë Tënde! Sepse askush më mirë se Ti, nuk i njeh brengat tona. Askush më thellë se Ti, nuk mund të hyjë në të fshehtat e ditëve dhe netëve tona. Askush më kthjellët se Ti, nuk mund të na korrigjojë e të na nxjerrë në dritën e përjetshme të së Vërtetës.
O Zoti ynë i Lartë!
O Imami ynë Ali!
O Prijësi ynë, Haxhi Bektash Veli!
Pranoni lutjet tona në këto ditë pa dritë të pandemisë botërore! Na jepni durim të përcjellim në jetën e amshuar, të afërmit tanë, pavarësisht kombit, ngjyrës, racës apo etnisë që i përkisnin. Na jepni shpresën e madhe që të sëmurët në shtrat, të ngrihen me vullnetin Tuaj hyjnor dhe t’i bashkohen jetës njerëzore!
Jepu fuqi, dritë, durim të gjithë mjekëve dhe infermierëve që po bëjnë maksimumin për të lehtësuar jetët njerëzore dhe po ndërgjegjësojnë njerëzit për masat efektive ndaj kësaj sfide.
Na dhuroni mirësi e paqe, nga ato Tuajat, që të rifillojmë këtë jetë me më shumë devotshmëri për Ju, me më shumë dashuri për njeri-tjetrin!
Ju qofshim falë!
Na ndihmoni që jetën e kësaj bote, ta shkojmë me të vërtetat e mëdha që burojnë prej fjalëve dhe veprave Tuaja, për të qenë sërish së bashku në kopshte të xhenetit!
Amin!