Të nderuar vëllezër të mij, klerikë bektashian!
Të nderuar myhib, dashamirës, vëllezër e motra, pelegrinë të teqesë që mban emrin e myrshidit tonë, dede Reshat Bardhit!
Më lejoni që t`ju uroj e bekoj për ditën e çeljes së teqesë në Sarandë, duke dashur me shpirt që ky objekt kulti dhe adhurimi të veçantë, të mbetet kurdoherë shtëpi e dashurisë sonë për Krijuesin, për Haxhi Bektash Veliun, për dymbëdhjet imamët tanë të dlirë, e artë të baballarëve dhe dervishëve bektashianë në gjithë botën!
Zoti na i plotësoftë të gjitha dëshirat tona, në udhëtimin e përjetshëm shypirtëror!
Tamam në këtë ditë, 11 vjet më parë, neve na mblodhi në Sarandë, dede Reshati ynë, me gëzimin dhe dritën e shpirtit të tij, për të çelur themelitë e asaj teqeje tw re, e cila jo vetëm do të shpërdante tek njerëzit urtësinë tradicionale bektashiane, por do të hijeshonte qytetin tonë jugor me bukurinë e vet. Sinagogës së ndërtuar prej mijëravjetësh, kishave të lashta ortodokse, si edhe xhamisë, do t`i shtohej tanimë ndertesa e teqesë, duke i dhënë dashuri e vëllazëri të përjetshme, mozaikut fetar, duke ripërtëritur tek të gjithë ne, idenë e vëllazërisë fetare, këtë pasuri të trashëguar prej shekujsh.
Gëzimi ynë në ato ditë, ka qënë sigurisht dhjetëfish më i madh sepse në mesin tonë kemi patur fizikisht dede Reshatin, i cili duke vendosur gurin e parë të themelit në këtë teqe, ka vendosur ndërkaq edhe piketat e shtrirjes të tarikatit tonë në këto treva, duke na rikujtuar se jugu i Shqipërisë, ka qënë i mbështjellë nga fryma e shenjtë e Haxhi Bektash Veliut, nga ndenjat më të spikatura të paqes dhe vëllazërisë, pamvarësisht etnive kulturorë.
Të gjithë neve, mbajmë mend mirë se edhe ato fjalë të ngrohta që myrshidi ynë shpërndau ato ditë, ishin pikërisht mësimet më të mëdha, për të dashur njeri-tjetrin, për të harruar armiqësitë dhe mëritë, për t`u bashkuar pamvarësisht dasive fetare, në devocionin e madh ndaj Krijuesit.
Qysh prej asaj dite dhe deri më sot, teqeja me emrin e dede Reshatit Bardhit ka ardhur duke u rritur e zhvilluar, duke mbledhur rreth vetes mijra dashamirës dhe duke u shndrrruar në çerdhe dashurie të përjetshme. Në këtë rast, më lejoni të nderuar miq, të falenderoj nga zemra, vëllain tim dhe tuajin, Haxhi Baba Sadik Ibron, i cili, përpara se të lartësonte muret e kësaj teqeje, ka lartësuar dhe ringritur besimin në zemrat e bektashinjve të asaj treve.
Zoti j`u bekoftë të gjithëve!
Amin!
KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE
HIRËSIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ