Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin.

Ceremonia kryesore, ku ishte i pranishëm edhe Kryegjyshi Botëror Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj  u zhvillua në xhaminë e “Kokonozit” (Pazari i ri), Tiranë.

Ashtu si falja e Fitër Bajramit edhe Kurban Bajrami këtë vit u zhvillua në të gjithë vendin duke respektuar një protokoll të caktuar në kuadër të parandalimit të përhapjes së mëtejshme të COVID-19.
Ceremonia filloi me ligjëratën e rastit të mbajtur nga Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërsë, z. Taulant Bica, i cili në fjalën e tij u fokusua mbi simbolikën e kësaj feste duke ndarë me besimtarët e pranishëm ngjarjen e dy profetëve të Zotit, Ibrahimin (a.s) dhe Ismailin (a.s) dhe mesazhet që duhet të nxjerrim prej saj.
Më tej, ceremonia vijoi me faljen e namazit të Kurban Bajramit nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu.Kurban Bajrami është gëzimi i individit dhe i shoqërisë, është simbol i heroizmit, sakrificës, sinqeritetit, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit. Është ndarja e këtij gëzimi mes njerëzve dhe është hyrje në klimën e ndjenjave pozitive shpirtërore. Kremtimi i kësaj feste u jep myslimanëve një emocion të veçantë, një frymë të re, një zell të ri në punët e tyre fetare dhe të kësaj bote. Gjatë kësaj feste myslimanët japin shembullin më të bukur të bashkimit dhe unitetit.
Të pranishëm në ceremoninë e faljes së Kurban Bajramit ishin dhe  krerë të tjerë të tarikateve Islame të vendit.
Në përfundim të kësaj ceremonie, besimtarët e pranishëm shkëmbyen mesazhe të shumta urimi ndërmjet tyre.