Sot, 75 vjetori i ndarjes nga jeta i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian Xhaferr Sadik Dede

Dita e sotme shënon një eveniment të rëndësishëm  për miliona besimtarë bektashinj në mbarë botën, përvjetorin e  ndarjes nga jeta të klerikut të njohur të këtij besimi, ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian Xhaferr Sadik Dede. Xhaferr Sadik Dede është ndarë nga jeta më 8 gusht të vitit 1945. “Në historinë mbi tetëqindvjeçare të bektashizmit, mes klerikëve të shumtë që kanë dhënë kontribut për mbrojtjen dhe përhapjen e këtij besimi, një vend të rëndësishëm ka dhe Xhaferr Sadik Dede, që për një kohë ka qenë dhe Kryegjysh Botëror i Bektashizmit. Ish-Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit, Xhaferr Sadik Dede mbetet një shembull i përkushtimit e punës së palodhur për këtë besim dhe nderohet e respektohet nga miliona besimtarë në gjithë botën”- pohon Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Ish-Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Xhafer Sadik Dede me origjin nga qyeti i Gjirokastrës ka lindur në vitin 1874, në familjen fisnike Baboçi, me tradita të njohura bektashiane. Prindërit e tij e mëkuan me dashurinë ndaj Zotit dhe atdheut dhe i dhanë dashurinë dhe mirësinë duke i lartësuar shpirtin. Që në fëmijëri prindërit e merrnin në vizita dhe pelegrinazhe në teqetë e Gjirokastrës si në atë të Zallit, Hajdarie, Melani etj. Pasi bëri shkollën në vendlindje, me dëshirën e prindërve, mori njohuri fetare në teqenë e Zallit, ku u bë dhe myhib e u vesh dervish. Reth viteve 1902 shkon në Haxhi Bektash  në kryeqendrën e bektashizmit Turqi. Aty përgatitet në shkollën e kësaj qendre. Kreu vizita në vendet e shenjta të Lindjes si Irak, Iran, Siri, Egjipt. Më pas vjen në Përmet dhe shërben në teqen e vjetër të këtij qyteti. Ai përkrahu gjithë patriotët në çështjen e çlirimit kombëtar në vitet 1908-1912. Teqeja e tij priste dhe përcillte luftëtarët e lirisë. Bashkëpunonte ngushtë me teqenë e Alipostivani me baba Hajdarin, baba Abedinin e Frashërit etj…  Merr pjesë aktivisht në mitingjet e abec-së në Përmet me klerikët e shquar baba Abedini i teqesë së Frashërit dhe baba Abdullai i teqesë së Alipostivanit. Teqenë e Përmetit e zgjeroi dhe rriti pronat e afroi shumë njerëz dhe intelektual, duke u bë i njohur në Përmet dhe gjithë zonën e Jugut. Kontributi i tij në Rilindjen Kombëtare është i madh jo vetëm në  Përmet,  por edhe Tepelenë, Gjirokastër ku ai ishte i pranishëm në çdo event të luftës për liri dhe pavarësi.  Për kontributin e tij si klerik i shquar, për  çështjen kombëtare, për punën e palodhur dhe përkushtimin ndaj bektashizmit Këshilli klerikal e zgjodhi Kryegjysh Botëror  të Bektashinjve në 25 . IV. 1945. Ai punoi si  Kryegjysh për katër muaj duke dhënë kontribut brenda dhe jashtë vendit deri në 8 gusht 1945 kur ndërroi jetë. Ai organizoi dhe drejtoi Selinë e Shenjtë në të gjitha veprimtaritë e saj kombëtare dhe ndërkombëtare me përkushtim si një klerik i përgatitur. Por fatkeqësisht i ndodhin aksidenti fatal në rrugën Tiranë-Elbasan, ku ishte me një shërbim në Gjyshatën bektashiane  të Elbasanit. Ai u aksidentua rëndë  dhe ndërroi jetë në spitalin e Tiranës. Eshtrat e tij prehen në tyrbet e dedelerëve në kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Mbas vdekjes është dekoruar nga Presidenti i Republikë së Shqipërisë në vitin 1993 me Urdhrin për “Veprimtari Patriotike të Klasit I-rë”.  Ai mbetet një klerik i shquar i bektashizmit për kontributin fetar dhe atdhetar e përkujtojmë sot me nderim dhe respekt të veçantë nga gjithë besimtarët bektashian dhe shumë më gjerë.

Nga Nuri Çuni

 

 NJOFTIM

Në kuadër të 75-vjetorit të ndarjes nga jeta të ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Xhaferr Sadik Dede, sot në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore, ka pritje dhe aktivitete të tjera kushtuar kësaj përkujtimorje. Pritjet nisin në orën 10 të datës 8 gusht 2020 Jeni të mirëpritur!

Kryegjyshi Botëror Bektashian
Hirësia e Tij
Haxhi Dede Edmond Brahimaj