Festa e Abaz Aliut, Kryegjyshi Botëror nga Mali i Tomorrit: Njerëzit po luten që Covid-19 të marrë fund, kemi marrë masat

Kryegjyshi Botëror i Bektashianeve Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka uruar nga Mali i Tomorrit të gjithë besimtarët bektashinj për Festën e Shenjtë të Abaz Aliut.
Mes të tjerash, Kryegjyshi është ndalur dhe te sitauta e shkaktuar nga koronavirusi dhe masat që janë ndërmarrë, duke u shprehur se nuk beson se do të ketë infektime dhe se njerëzit po luten që kjo e keqe të marrë fund.
“Zoti do të japë paqe dhe dashuri. Njerëzit nuk i ndalojmë dot, e kanë dashurinë ndaj Zotit dhe të mirës. Janë marrë masat për COVID-in, është bërë dezinfektimi i zonës.
Njerëzit janë në natyrë dhe nuk besoj që do të ketë infektim. Prandaj vijmë e lutemi që kjo e keqe të marrë fund njëherë e mirë”, tha ai.

Gjatë 5-ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin lutet për shëndet, mirësi e paqe në familjet e tyre. Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen.
Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë duke kryer jo vetëm kurbanin e festës,por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorit, i cili ndodhet 2417 metra mbi nivelin e detit. Ditët e pelegrinazhit në Malin e Tomorit përfundojnë në 25 Gusht.