Pelegrinazh në teqen e Kreshovës Kolonjë


Bismilahi, Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërsit!
Të nderuar besimtarë të Kreshovës dhe të fshatrave për rreth!
Më lejoni në radhë të parë t’ju falënderoj ju për praninë tuaj në këtë ditë dhe si Kryegjyshi Botëror Bektashian, ju përcjellë urimet më të mira ju dhe familjeve tuaja!
Zoti i Lartë, Ehli-Bejti, fryma e dervishëve dhe ballarëve të Kreshovës, të Kolonjës dhe të gjithë trevave shqiptare, ju ardhtë në ndihmë, në çdo kohë, në jetët tuaja!
E themeluar në mesin e shekullit të 19-të, teqeja e Kreshovës do të afronte rreth vetes, me mijëra besimtarë, të cilët panë tek tarikati bektashian, unitetin natyral të besimit në Zot dhe dashurinë për vatanin. Veçanërisht, kërcënimet e territoreve në Jugun e Shqipërisë, bënë që patriotët kolonjarë të mbushnin oborret e teqeve bektashiane, duke bashkuar përpjekjet e tyre atdhetare me dervishët dhe baballarët e frymëzuar prej shenjtërisë së Haxhi Bektash Veliut.
Teqeja e Kreshovës, iu bashkua në misionin e saj teqeve të tjera të famshme, si ato të Qesarakës, Leskovikut, Starjes etj, duke hapur dyert jo vetëm për besimtarët bektashinj, por edhe për ata atdhetarë që me pushkë e me penë, shkruan epopenë e lavdishme të përpjekjeve tona shekullore për autonomi dhe prosperitet.
Qysh nga themelimi i saj, baba Hasani, më tej baba Xhemali, baba Ahmet Nikollari, baba Abdulla Çela, dervish Izet Limani dhe të tjerë me radhë, , teqeja këtu në Kreshovë u shndërrua në vtër urtësie dhe diturie. Breza me radhë, përmes riteve të mrekullueshëm të tarikatit beaktashian, përmes cilësive shpirtërore që shpërndanë klerikët e lartpërmendur, u edukuan me dashurinë e madhe për familjen dhe atdheun, duke pasur kurdoherë ndihmën e shenjtorëve tanë.

Motra dhe vëllezër!
Për shkak të pandemisë, por edhe të ditëve të zisë së matemit, këtë vit ne nuk mund ta festojmë  ditën e  bekuar të çeljes së teqesë, siç e kemi bërë vitet e tjerë. Por sidoqoftë, jemi shpresëplotë se me vullnetin e Zotit të Lartë, me kujdesin tonë të vazhdueshëm për të mbrojtur veten dhe të tjerët, do ta kapërcejmë këtë situatë dhe do të bashkohemi më shumë në këto festa të tjera.

Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!

Fjala e Kryegjyshit Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj