15 tetori 2020, dita e 213-vjetorit të teqesë së Koshtanit të Tepelenës, qendër e njohur bektashiane e atdhetare

E enjtja e 15 tetorit 2020, shënon 213-vjetorin e teqesë së njohur të Koshtanit në Tepelenë, një nga objektet e rëndësishme të këtij kulti jo vetëm në Shqipëri, por në rajon e më gjerë. Kjo teqe, zë një vend të rëndësishëm në historinë mbi tetë shekullore të tarikatit të paqtë bektashian, jo vetëm si një qendër e edukimit të besimtarëve e përhapjen e këtij besimin në Jugun e Shqipërisë, por dhe si një qendër atdhetare dhe e arsimimit shqip.
Teqeja e Koshtanit, ka një konstrukt të veçantë si objekt, me dhoma të bollshme, mejdanin, dhomën e pritjes e bisedave, ashefin, kuzhinën, mensën, dhomat e fjetjes etj, ka qenë në kohëra edhe një qendër e pasur ekonomike.
Më 15 tetor të vitit 1908, në këtë teqe, është çelur e para shkollë shqipe për Tepelenën. Madje, në kushtet ilegale të zhvillimit të arsimit shqiptar, në vitet më pas, në bankat e shkollës së teqesë u ulën nxënës jo vetëm nga Tepelena, pore dheVlora, Mallakastra e Përmeti.
Sipas dokumenteve, kjo teqe me emër është themeluar në vitin 1807 prej baba Sadikut me origjinë nga Turballia e Greqisë, i ndihmuar ky dhe nga baba Shememi Babai i Krujës.  Ajo ka qenë një qendër e rëndësishme në krahinën e Tepelenës, krahas përhapjes së bektashizmit, por edhe për rolin që ka luajtur në Rilindjen Kombëtare Shqiptare nëpërmjet aktivitetit të baballarëve të shquar si, baba Ahmedi, baba Kasua, baba Nurja, që janë ndër klerikët e parë që e drejtuan këtë teqe dhe kanë lënë gjurmë në historikun e saj. Aktiviteti i tyre fetar e atdhetar  vazhdoi dhe më pas nga klerikët që drejtuan si: baba Muharremi, baba Ismaili, baba Shefqeti Gllava, baba Abedin Greshica, dervish Muharrem Zhapokika, dervish Ibrahim Zhapokika; baba Abedin Agaj me dervish Hysen Merdani, dervish Demir Xhakaj, devish Xhafer Sinamemaj, dervish Hamza Xhelilaj, baba Adem Maksutaj, (deri në vitij 1963) dhe, në vitin 1967 me baba Myrteza Tinari, dervish Myrteza Kamberi, baba Lutfi Memushaj, dervish Xhafer Sinomemaj. Marsi i vitit 1967 shënon dhe mbylljen e kësaj teqeje me emër, mbi bazqën e vendimit shtetëror të kohës që ndaloi me ligj ushtrimin e besimeve fetare në Shqipëri dhe ushtrimin e aktivitetit të objekteve të kulteve. Baballarët që vazhduan më pas dhe ringritja mbas vitit 1990 me baba Abdyl Shehun, teqeja ruan traditën bektashiane dhe qëndron si një kështjellë monument i historisë kombëtare.

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për Teqenë e Koshtanit, ndër të tjera pohon: “…15 tetori mbart brenda vetes një simbolikë të veçantë. Në  tetor të vitit 1908, dyert e drunjta të kësaj teqeje, ato dyer aq të dashura për mijëra besimtarë jo vetëm nga Tepelena por edhe Mallakastra, Gjirokastra, Vlora e Përmeti, u çelën për nxënësit e të parës shkollë shqipe në këtë trevë. Së bashku me dijet për Zotin, nxënësit e atij shekulli aq të trazuar për Shqipërinë, do të mësonin dijet e historisë, gjeografisë dhe gjuhës së bukur shqipe, e cila ndonëse e lindur pesë shekuj më parë, ishte sulmuar aq  barbarisht nga  otomanët dhe të tjerë. Tanimë, nga historiografia jonë por edhe nga  ajo Evropiane, është pohuar gojëplotë fakti se gjatë  periudhës së lëvizjes autonomiste shqiptare, teqetë bektashiane u shndërruan në vatra të përhapjes dhe mësimit të gjuhës shqipe. Librat e Haxhi Bektash Veliut ishin dhe mbetën të bashkuar në sepetet e baballarëve tanë, duke dëshmuar se Zoti dhe kombi nuk mund të mohohen. Kjo devizë madhështore ka mbrojtur jo vetëm mendimin por edhe veprimin bektashian të atyre viteve. Është folur shumë ndërkaq edhe për përpjekjet e baballarëve tanë për alfabetin me germa latine, madje disa prej tyre dhanë jetën për libra me alfabet të tillë. Nëse e kthejmë vështrimin pas në ato kohëra, shohim qartë se lëvizja jonë atdhetare kombëtare në bashkëpunim me institucionet bektashiane, e kishte të qartë se fatet e atdheut vendoseshin me pushkë dhe penë. Ata ishin të ndërgjegjshëm gjithashtu se gjuha shqipe, largimi ynë i gjithë kohshëm nga zgjedha otomane, do të ishte shenja më domethënëse për t’iu afruar familjes natyrore Evropiane, të cilës i përkisnim në të vërtetë. Teqeja e Koshtanit ishte vënë plotësisht në funksion të shqiptarizmit, prandaj ajo u dogj dy herë, nga andartët grekë dhe forcat esadiste, ndrsa dervishët dhe baballarët e saj u burgosën dhe u vranë…”

Pëgatitën: K. BORIÇI & Nuri Çuni

Foto: N. Çumani