147-vjetori i ngritjes së teqesë së Drizarit – Mallakastër

Sot, 5 nëntor 2020, në teqenë e Drizarit në Mallakastër, përkujtohet 147-vjetori i themelimi i një prej teqeve më të rëndësishme në Shqipëri. Në këtë ceremoni tradicionale, mori pjesë dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Teqeja e Drizarit është themeluar nga Maliq Zeneli në parcelën Bramull të pronës së tij, ku i dha teqesë 5 hektarë tokë në vitin 1873. Në këtë periudhë erdhën tre dervish, dervish Xhelua u bë babai i parë i teqesë. U ngrit tek përroi i thatë mulliri i teqesë. Te rrapi u bë çezma poshtë në Vodicë që merrej ujë më krah ose me kafshë për teqenë. Pranë çezmës, ishte edhe parcela e perimeve. Për forcimin ekonomik të teqesë, ka dhënë kontribut të veçantë gjatë që nga viti 1873, Maliq Zenel Pashaj. Baba Xhelua, (i cili kaloi nga jeta në vitin 1916), bekoi shumë luftëtarë trima drizariot në mbrojtje të Qeverisë Vlorës, kundër andartëve grekë. Teqeja pati rol të rëndësishëm në përhapjen e bektashizmit, kryente ceremonitë e ndryshme si lutje, rite e festa fetare, Sulltan Nevruzin, Ashuren, Barjamin e Madh dhe të Vogël, mbante gjallë besimtarët dhe popullin me dashurinë për atdheun. Drejtuan teqenë baballarët e tjerë, si baba Xhaferi, i cili vazhdoi rrugën e baba Xhelos por pati jetë të shkurtër. Më pas, drejtoi teqenë baba Rakipi me origjinë nga fshati Gllavë (1920-1940). Ai u bë frymëzuesi i ndenjave shpirtërore të gjithë popullit të Drizarit, por edhe në fshatrat, Hekal, Klos, Kremenar, Ninësh të Mallakstrës. Vazhdoi drejtimin e teqesë baba Rizai, i dërguar nga teqeja Krahësit. (1941-1952). Pas tij, drejton teqenë dervish Muharrem Goxhaj (1952-1955), Këtu në periudhën 1958-1967, në vitet e internimit, kanë drejtuar teqenë Dede Ahmeti dhe dervish Reshat Bardhi dhe dervish Seit Xhani. Kleriku Reshat bardhi, drejtoi Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në vitet 1991-2011. Teqenë e rimëkëmbën dhe e bënë një vend të rëndësishëm pelegrinazhi edhe pse surverioheshin nga sigurimi i shtetit monist. Teqeja e Drizarit, u mbyll me ndalimin e fesë me ligj, në vitin 1967 dhe u  rihap pas vitit 1990.

Përgatiti: Nuri ÇUNI

Fjala e plotë e Kryegjyshit Botëror:

Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar klerikë, myhybanë, dashamirës, të teqesë së Drizarit, miq dhe familjarë, të Dede Ahmed Myftarit dhe Dede Reshat Bardhit!
Të nderuar ndjekës të Ehli-Bejtit në ballkan dhe më gjerë, të udhës së Hakut, të dymbëdhjetë Imamëve dhe Haxhi Bektash Veliut!
Sot, në këtë ditë nëntori, ne festojmë së bashku jubileun e teqesë së Drizarit, një nga teqetë me emër në të gjithë Mallakastrën. Emri i kësaj teqeje lidhet në mënyrë të pandashme me historikun botëror të bektashizmit, të shekullit të tetëmbëdhjetë, dhe në mënyrë të veçantë me bektashzmin shqiptar të kësaj periudhe.
Por dy janë pikat historike që kjo teqe në mënyrën më të mirë na kujton se besimi bektashian ndër shekuj ka qenë i lidhur me shpirtin e lirisë.
Dokumente të historiografisë shqiptare flasin sot, se teqeja bektashiane e Drizarit, në vitet 1910-1912, ka luajtur një rol të rëndësishëm në lëvizjen autonomiste të Mallakastrës, duke qenë një shkëndijë e vet levizjes sonë kombëtare. Ndjekësit e bektashizmit, ishin ndërkaq mbështetës kryesorë të Ismail Bej Vlorës në lëvizjen kombëtare për pavarësi, duke mos kursyer asgjë në kuptimin material, dhe gjithmonë duke sakrifikuar gjithçka në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare.
Momenti i dytë kryesor, që e vendos këtë teqe në panteonin e lavdishëm të lëvizjes bektashiane për liri, është padyshim viti 1958, kur regjimi monist dërgon në internim ish Kryegjyshin Botëror, Dede Ahmed Myftarin, dhe dervishin e tij, Reshat Bardhi. Është me rëndësi të kuptojmë sot të gjithë së bashku se regjimi i kohës e kreu këtë akt, duke menduar se do të shkulte përgjithmonë nga zemra e besimtarëve bektashianë urtësinë proverbiale dhe vëllazërinë që shpërndante ky tarikat.
Por vitet që rrodhën më pas treguan se besimtarët bektashianë, sikundër ata synitë e të krishterë, megjithë brutalizmin e segmenteve shtetërorë, nuk u lëkundën askurrë nga besimi në Zot. Përkundrazi ata në fshehtësi, në solidaritetin më të madh njerëzor me njëri-tjetrin, i’u lutën Zotit të Madh, që t’i mëshironte këta politikanë mjeranë të përkohshëm.
Teqeja e Drizarit, u shndërrua në ato vite në Qendrën Botërore Bektashiane, për arsyen e vetme se të dy patriarkët e sipërpërmendur, Dede Ahmed Myftari dhe dervish Reshat Bardhi, mbajtën gjallë dhe zhvilluan më tej traditat më të vyera të tarikatit tonë, duke u dhënë mundësi ndjekësve të tyre në të gjithë Shqipërinë, të besonin se kjo diktaturë ishte e përkohshme.
Sot, duke patur parasysh pandeminë botërore, por edhe protokollet shëndetësore shtetërore, ne nuk kemi mundësi të mblidhëmi së bashku në Drizar për të festuar këtë jubile. Por me shpresë tek Zoti i Lartë kemi mundësi që në përvjetore të tjerë, të mblidhemi në kuvendet tona vëllazërore.
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!

Kryegjyshi Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj

Dede Ahmedi dhe dervish Reshat Bardhi