Ngushëllim familjarëve, për ndarjen nga jeta të vëllait tonë, artistit të njohur Muharrem Fejzo

Muharrem Fejzo gjatë një vizite në Kryegjyshatën Botërore

Të nderuar vëllezër e motra bektashianë!
Dje, vëllai ynë, miku i shtrenjtë i Selisë së Shenjtë Bektashiane, regjisori i njohur Muharrem Fejzo, humbi betejën me virusin Covid-19, duke na pikëlluar të gjithëve. Duke filluar nga dita e sotme, do të na mungojë jo vetëm mirësia dhe ajo buzëqeshja e tij e natyrshme, por edhe bisedat plot humor për filmat që mbajnë firmën e tij, për punët e mëdha regjisoriale, për projektet e mëdha kinematografike.
Por do të na mungojnë edhe rrëfimet e tij, për dy patriarkët e tarikatit bektashian në Shqipëri e në botë, për dede Ahmet Myftarin dhe dede Reshat Bardhin.  Sepse, siç mund të dini, prindërit e Muharremit, erdhën nga Starja e Kolonjës dhe u vendosën në Tiranë, duke marrë me vete kujtimet më të vyera të teqesë së Starjes. Ata iu gjendën gjithmonë pranë dervishëve dhe baballarëve në Selinë e Shenjtë në Tiranë, duke pasur edhe bekimet e baba Xhaferr Starjes.
Sigurisht, edukimi bektashian i familjes Fejzo dhe në mënyrë të veçantë i djemve: Muhametit, Hasanit dhe Elifit u vërejtën më së shumti në vitet 1967-1990,  atëherë kur regjimi që lamë pas shkatërroi objektet fetare si dhe ndaloi me nen të veçantë në Kushtetutë ushtrimin  besimit. Familja Fejzo i mbajti dyert e hapura kanat për të dy klerikët e sipërpërmendur si dhe ndjekës të tjerë ilegalë të doktrinës bektashiane. Kjo sakrificë e kësaj familje vlen të respektohet nga gjithë komuniteti ynë.
Ndërkaq, Muharrem Fejzo, do të mbetet i gjallë midis nesh edhe për dimensionin tjetër artistik të tij. Ai është autor i dy punimeve në skulpturë , i bustit të dede Ahmetit në qytetin e Vlorës si dhe shtatores së Haxhi Bektash Veliut në mjediset e Selisë sonë të Shenjtë. Në të dy këta vepra, miku e vëllai ynë, Muharremi, ka derdhur jo vetëm zanatin e tij të përkryer, por edhe dashurinë e një bektashiu për myrshidët e vet. Prandaj sot, të gjithë ne bektashinjtë bashkohemi në lutjet për shpirtin e Muharrem Fejzos!
U prehsh në paqen e xhenetit, miku ynë!
Zoti i Lartë dhëntë gëzime kurdoherë  për gruan, fëmijët, nipërit, mbesat dhe krejt ata që të deshën!
Amin!

Kryegjyshi Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj