Kryegjyshi Botëror pret në Selinë e Shenjtë ambasadorin e Republikës së Polonisë, z. Karol Bachura

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj priti në Selinë e Shenjtë ambasadorin e Republikës së Polonisë, z. Karol Bachura, të cilit i uroi mirëseardhjen dhe e uroj për detyrën e kryer në vendin tonë.
Kryegjyshi e njohu ambasadorin me udhëtimin shpirtëror të bektashinjve prej vitit 1930, kur Qendra Botërore u vendos në Tiranë dhe deri më sot. Ambasadori u bë me dije gjithashtu për sakrificat e panumërta të klerikëve bektashinj, kontributin e tyre për liri e pavarësi si edhe urtësinë për t’iu afruar me devocion Krijuesit.
Kryegjyshi Botëror Bektashian Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, e njohu ambasadorin edhe me sfidat e sotme të  Selisë së Shenjtë Bektashiane, si në kontekst të harmonisë fetare në Ballkan, ashtu edhe sfidat e lirisë së besimit dhe të fesë.
Nga ana e tij Ambasadori Bachura, duke e falenderuar Kryegjyshin për pritjen e ngrohtë u shpreh se ishte kënaqësi e veçantë vizita në mjedise të tilla që frymëzojnë vetëm paqe. Ai çmoi punën dhe angazhimin e treguar nga Kryegjyshi Botëror në raport edhe me bashkësitë e tjera fetare në rajon, duke uruar suksese në përmbushjen e misionit të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.