Sot, 150-vjetori i themelimit të teqesë së Matohasanajt në Tepelenë

Matohasanaj, ka një histori të hershme të përhapjes së bektashizmit, ku gjurmët duken tek guri Salltikut në Malin e Gribës, mbi fshat dhe, vazhdimi i saj, me Këndevicën. Ka edhe gjurmë të tjera besimi, tek Pisha, ‘Vendi i Mirë’, Shkallzës te qafa e malit mbi Dhëmblan.
Teqeja në fillim, është themeluar nga baba Salih Matohasanaj, në shtëpinë e tij dhe, më vonë, u ngrit objekti. Teqeja bektashiane aty, u lidh ngushtë me personalitetin e Baba Saliut. Baba Saliu lindi në po këtë fshat, në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të. Ende i ri, ai hyri në tarikatin bektashian. Pas lidhjes së Prizrenit (1878), në këtë teqeqe, mësohej fshehtas mësimi i gjuhës shqipe. Baba Saliu merrej me mësimin e fëmijëve të fshatit dhe krijoi një shkollë me fondet e tij, ku mësues ishte Feim Çami. Në këtë shkollë janë edukuar paria e Lopsit, si Veis Arifi, Ismail Kasua, Zenel Fetahu, Mersin Meçja, Ali Veizi, Dulja e shumë të tjerë. Teqeja u bë e njohur në zonën e Kurveleshit për përkushtimin e tij bektashian dhe atdhetar.
Baba Rexhebi tregon se si ai sillte libra nga Stambolli nëpërmjet Tripolit të Libisë, prej nga me ndihmën e guvernatorit lokal, Rexhep Pashë Matit, i binte në Shqipëri dhe i shpërndante në Shqipërinë e Jugut. . Në vitin1902, në krahinën e Kudhësit të Vlorës, ai u denoncua tek autoritetet turke nga spiunët, u arrestua dhe burgos për një kohë të gjatë në Libi. Këtu ka përkthyer “Hadikën” e Fuzulit në dialektin lab. Dhimitër S. Shuteriqi tregon se dorëshkrimi i këtij përkthimi mbeti deri në 1950 në teqenë e Baba Saliut, në Matohasanaj. Teqeja ka ndihmuar në luftën antifashiste (1939-19944), për të cilën është djegur dhe plaçkitur nga pushtuesit në qershor 1944. Kanë shërbyer në këtë teqe klerikët: baba Sali Matohasanaj, dervish Xhemal Alizoti (1939-1950), baba Sherif Manaj (1950-1967). Teqeja u mbyll nga sistemi monist në vitin 1967. Baba Sherif Manaj qëndroi në shtëpinë e Besim Velikos dhe shtëpinë e mbesës, Zyhras deri sa kaloi nga jeta, në vitin 1998. Teqeja u rihap mbas vitit 1990. Gjithashtu, në tetor 2004, u ringit një tyrbe e bukur ku prehen eshtrat e baba Sherif Manajt, baba Saliut, baba Xhemalit,.

Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj në 150-vjetorin
e themelimit të teqesë së Matohasanajt në Tepelenë

Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar vëllezër të mijë, klerikë dhe besimtarë bektashianë!
Të nderuar intelektualë dhe familjarë të baba Sali Matohasanajt!
Është kënaqësi të përkujtojmë so,t 150-vjetorin e themelimit të teqesë së Matohasanajt në Tepelenë. Themeluesi i saj, baba Sali Matohasanaj, është një klerik i shquar bektashian me kontribut të madh në rilindjen kombëtare. Baba Sali Matohasanaj ka zënë sot vendin e tij të merituar në panteonin e figurave të ndritura të bektashizmit shqiptar dhe atij botëror. Fakti që ne përkujtojmë 150-vjetorin e themelimit të kësaj teqeje, na bënë të krenohemi në kujtim të veprës së tij, në misionin e besimit në Zot dhe dashurinë për atdheun. Në fund të shekullit të 19-të, atëhëre kur spikati realisht kontributi i baba Saliut, bektashizmi në trevat shqiptare ishte në kulmin e zhvillimit të tij. Duke marrë shkas nga mbështetja që Ali Pashë Tepelena u dha teqeve bektashiane, përballë ofensivës anti-bektashiane që vinte prej Portës së Lartë, klerikët e atyre viteve u përpoqën me çdo mjet të gjendeshin në krye të lëvizjeve autonomiste shqiptare, për lirinë e Shqipërisë.
Në vitet kur baba Saliu çeli teqenë në Matohasaj, baba Shaban Prishta dhe baba Meleq Shëmbërdhenji, shpërdanin libra shqip fshehtazi dhe, djemtë e Skraparit e Gramshit, mësonin gjuhën shqipe. Baba Ahmet Turani dhe baba Medin Gllava, shpërndanin në Tepelenë e Mallakastër fjalën e Haxhi Bektash Veliut. Në teqetë e Krujës, Beratit, Korçës, Elbasanit, Dibrës përcillnin frymëzuesin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bektashiun Abdyl Frashëri, nga Dibra për në Janinë. Kjo frymë e ndejenjave më të kulluara kombëtare, do të ndiqte nga do baba Sali Matohasanajn, duke e burrëruar atë përpara kohe, duke i mprehur vështrimin dhe duke bërë që të pinte nga gurra e pashterur e urtësisë së Profetit Muhamed, (paqja qoftë mbi ‘të), nga dija pa skaj e dymbëdhjetë imamëve tanë, nga zgjuarsia gati emblematike e dervishëve dhe baballarëve tanë.
Deviza e famshme “Pa atdhe nuk ka fe”, ishte motoja e gjithë bektashinjve shqiptarë. Në këtë përvjetor të teqesë Matohasanaj, të përcjellim në këtë fund viti dashuri e mirësi për të gjithë familjet shqiptare dhe gjithë familjeve bektashiane në botë, duke ju dëshiruar të gjithëve paqe e harmoni dhe përballimin sa më me pak kosto të pandemisë
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!