Gazeta Telegraf: Ndahet nga jeta, baba Mumin Lama, Kryetari i Komunitetit Bektashian të Republikës së Kosovës

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Vëllai jonë, kleriku Mumin Lama, ka lënë pas shembullin e devotshmërisë, përkushtimit në udhën e Haxhi Bektash Veliut, kontributin e çmuar fetar e atdhetar të besimit tonë të paqtë!

Kujtim BORIÇI
Nuri ÇUNI

Sot në orën 14:00, në mjediset e teqesë së Gjakovës, institucionit bektashian, të njohur për trashëgimninë e vyer fetare e atdhetare, bëhet ceremonia e kalimit nga kjo jetë e baba Mumin Lama, Kryetari i Komunitetit Bektashian të Republikës së Kosovës. Kleriku i njohur baba Mumin Lama, ndërroi jetë në orët e para të ditës së djeshme (e martë, 26 janar 2021), pas një sëmundje të rëndë e të pashërueshme. Humbja e tij, u prit me hidhërim nga miliona besimtarë bektashianë në mbarë botën, miq e të njohur të shumtë, ndërsa Kryegjyshata Botërore Bektashiane në Tiranë, në bashkëpunim me gjyshatën e Gjakovës, kanë marr të gjitha masat për ecurinë e kësaj ceremonie të dhimbshme. “Vëllai jonë, kleriku Mumin Lama, e la botën materiale për t’u bashkuar me shpirtrat e pastër, duke lënë pas shembullin e devotshmërisë, përkushtimit në udhën e Haxhi Bektash Veliut, kontributin e çmuar fetar e atdhetar të besimit tonë të paqtë. Ndarja nga kjo jetë e vëllait tonë baba Mumin Lamaj, është një humbje për ne të gjithë besimtarët bektashianë kudo ku ndodhen në botë, njëkohësisht dhe një detyrim për të punuar më shumë, bashkë me myhibët, klerikët, besimtarët e  dashamirësit, për të çuar më tej misionin fetar e atdhetar të baba Mumin Lamës, në teqenë e njohur të Gjakovës”- pohoi mes të tjerave për gazetën “Telegraf”, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

KUSH ISHTE KLERIKU MUMIN LAMAJ
Baba Mumin Lama lindi më 1 qershor të vitit 1949 në Gjakovë, nga një familje e njohur e besimit bektashiane. Në vitin 1987, ai pranohet myhib i baba Tajarit. Meqë shfaqi vlera të larta morale, kombëtare e fetare, në vitin 1993, babai Tajari, e gradoi Mumin Lamën ‘Dervish’. Pas kalimit nga jeta i baba Tajarit më 1994, anëtarët e Teqesë së Gjakovës, vendosën që prijësi i zgjedhur të jetë dervish Mumin Lama. Në vitin 1996, bazuar në rregullat e Tarikatit Bektashian, Baba Mumin Lama u emërua postnishin i teqesë së Gjakovës nga Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede baba Reshat Bardhi. Baba Mumini, u vu në krye të teqesë së Gjakovës, në kohëra të vështira për Kosovën. Dekada e 90-të e shekullit të 20-të, u veçua në histori për dhunën e gjithanshme të regjimit serb ndaj popullatës shqiptare; u mbyllën institucionet e shkollat. Por, baba Mumini,  duke njohur traditën bektashiane dhe atë të vetë teqesë që drejtonte, u angazhua që këtë tempull fetar ta kthejë në qendër për manifestime fetare-kulturore-artistike e historike, e njëkohësisht e dha teqenë për shkollë, për maturantët e gjimnazit të Gjakovës.

KONTRIBUTI FETAR E ATDHETAR
Teqeja bektashiane e Gjakovës, që drejtohej nga baba Mumin Lama, u bë objekt sulmi i ushtrisë së rregullt serbe, e cila e dogji atë më 7 maj 1999. Kështu, u shkatërruan relikte e artefakte me vlera të jashtëzakonshme, u shkrumbua biblioteka që mbante thesare nga e gjithë bota (shumë nga to ishin dorëshkrime perla që nuk kthehen më). Këtë fat, pati edhe tyrbja e baballarëve në Gjakovë.  Pas luftës në Kosovë, teqeja u rindërtua më 2007, me ndihmë nga Qeveria e Kosovës, financuar nga shtetet mike të vendit, si dhe nga të ardhurat e vetë teqesë bektashiane të Gjakovës. Baba Mumini, njihej gjithandej për qetësinë që reflektonte, për urtësinë e bujarinë e madhe. Tregonte respektin për çdo qenie njerëzore, ngrihej me konsideratë si për fëmijët ashtu për të moshuarit. Nuk dallonte njerëzit në elemente që diferencojnë, por këto i konsideronte pasuri të esencës së qenies njeri.

CEREMONIA E PËRCJELLJES
Vazhdimisht, oborri e mjediset e teqesë së njohur e Gjakovës, janë të mbushur plot me besimtarë të shumtë bektashian e të tjerë, por sot ata mblidhen në ritin e ndarjes nga kjo jetë e baba Muminit, që ka një kontribut të çmuar në këtë institucion bektashian në vitet që punoi e drejtoi aty. Do të jenë klerikë të besimit bektashian, por dhe klerikë të besimeve të tjerë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e nga shumë vende të tjera të botës ku punojnë e jetojnë miliona besimtarë bektashianë. Mes tyre do të jetë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësai e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili do drejtoj ceremoninë dhe do të mbajë fjalën përcjellëse. Fjalët e zemrës dhe kurorat e shumta me lule, do të jenë një shenjë mirënjohje, vlerësimi e respekti për kontributin fetar e atdhetar të klerikut bektashi, baba Mumin Lama.

SOM 1
“Dede Edmond Brahimaj:Ndarja nga kjo jetë e vëllait tonë baba Mumin Lamaj, është një humbje për ne të gjithë besimtarët bektashianë kudo ku ndodhen në botë, njëkohësisht dhe një detyrim për të punuar më shumë, bashkë me myhibët, klerikët, besimtarët e  dashamirësit, për të çuar më tej misionin fetar e atdhetar të baba Mumin Lamës, në teqenë e njohur të Gjakovës”

SOM 2
Baba Mumini, u vu në krye të teqesë së Gjakovës, në kohëra të vështira për Kosovën. Dekada e 90-të e shekullit të 20-të, u veçua në histori për dhunën e gjithanshme të regjimit serb ndaj popullatës shqiptare; u mbyllën institucionet e shkollat. Por, baba Mumini, u angazhua që këtë tempull fetar ta kthejë në qendër për manifestime fetare-kulturore-artistike e historike, e njëkohësisht e dha teqenë për shkollë, për maturantët e gjimnazit të Gjakovës