Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i ka dërguar një mesazh urimi, Imzot Manxhelo Masafrës, i cili, në Asamblenë e Zakonshme të Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike të Shqipërisë, mbajtur në Tiranë më 4 shkurt 2021, u zgjodh President i Konferencës Ipeshkvnore, me një mandat tre vjetar. Nëpërmjet këtij mesazhi, Kryegjyshi Botëror uron dhe Sh. T. Imzot Giovanni Peragine, ipeshkëv i Administraturës Apostolike të Jugut, që u zgjodh Zëvendës President dhe Sh. T. Imzot Gjergj Meta, Ipeshkv i Dioqezës së Rrëshenit, që u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm.
Në mesazhin e tij, Dede Edmond Brahimaj, shkruan: “I nderuar Imzot Massafra! Me dashamirësi dhe respekt të thellë për Ju dhe të gjithë komunitetin e besimtarëve katolikë të Shqipërisë, kam ndjekur zgjedhjet për Presidencën e Konferencës Ipeshkvnore. Ju uroj i nderuar Imzot, jetë të gjatë dhe suksese në misionin Tuaj fisnik, të konsoliduar tashmë prej disa vitesh në Shqipëri. Është kënaqësi e veçantë që me këtë rast, t’u uroj Ju si një misionar dhe klerik dashamirës dhe vëllazëror me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Uroj në emrin tim personal dhe të gjithë komunitetit bektashi të kudondodhur në botë, një rrugëtim të paqtë dhe të mbarë në postin e Presidentit të Konferencën Ipeshkvnore. Jam i bindur se drita në udhën Tuaj do të jetë përherë e ndriçuar dhe bashkëpunimi e harmonia ndërfetare, e cila gjithnjë u ka karakterizuar, do të vazhdojë të ekzistojë. Me anë të këtij urimi dëshiroj të përgëzoj gjithashtu Zëvendëspresidentin, Imzot Giovanni Peragine dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Imzot Gjergj Meta. Udha Juaj qoftë e mbushur me mbarësi e bekime! Harmonia dhe toleranca midis Komuniteteve fetare, triumfoftë përherë!”
Përgatiti:
Shelda Agarai-Jano