Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, merr pjesë në Konferencën Kombëtare kundër trafikimit të Qenieve Njerëzore në Shqipëri

Ditën e sotme, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mori pjesë dhe foli në Konferencën Kombëtare kundër trafikimit të Qenieve Njërëzore në Shqipëri, me objekt: “Zoti na krijoi në shembullim e në përngjasim me ‘të e ne jemi imazhi i Tij”. Konferenca nisi në orën 11:00 të datës 8 shkurt 2021, më mjediset e Universitetit Katolik, Zoja e Këshillit të Mirë, Anula “Magna” në Tiranë dhe qëllimi i saj ishte: Prezantimi i situatës së trafikimit në vendin tonë; paraqitja e qëndrimeve dhe orientimeve të ço komuniteti fetar në Shqipëri kundër këtij fenomeni dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fetare e aktorëve kryesorë.
Në këtë konferencë, foli dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili, ndër të tjera tha: “…Është nder për mua personalisht këtë event, i ndërgjegjshëm se ne të gjithë duhet të bashkohemi në përpjekjet për të mbrojtur dinjitetin e njeriut dhe vlerat më të larta njerëzore që kemi trashëguar. Zot i Lartë na dhëntë vullnet e mbështetje të ruajmë dhe të mbrojmë çdo jetë të pafajshme, duke e përfshirë atë në vëllazërinë tonë!
Është e vërtetë se përgjatë historisë të tij, deri në ditët e sotme, Islami e ka konsideruar çdo mysliman si pjesëtar i familjes së madhe, të mbushur me dashuri, mëshirë dhe bekimet e Allahut. Është gjithashtu po kaq e vërtetë, që kodet zakonore të Islamit dhe praktikat e tij, janë prirë të nxjerrin në pah vetitë më të çmuara të dinjitetit njerëzor, të frymëzuara prej haditheve kuranorë. Apo mesazheve të qartë hyjnorë. Edhe në tarikatin bektashian, dinjiteti i njeriut, është vlerësuar në të gjitha dimensionet e tij, në çdo rrethanë dhe në çdo etapë historike. Margaritarët e tarikatit në këtë kontekst janë të shumta, por unë do të sillja këtu vetëm një mendim të Imam Aliut, paqja qoftë mbi të! I cili ka thënë: “O njeri! Ke lindur i lirë prej nëne dhe babe. Mos u bëj rob i askujt!”. Në 800 vjetët e ekzistencës të tarikatit, teqetë bektashiane krahas detyrimeve historike që kanë pasur përpara kombit, kanë mundur të përcjellin në brezat e besimtarëve, se dinjiteti i tyre është po kaq përcaktues, sa edhe vetë devocioni ndaj Krijuesit. Ky dinjitet njerëzor ka ardhur duke u rritur, përmes besimit, sakrificës dhe në mënyrë të veçantë përmes vëllazërisë fetare, në të cilën janë ndjerë të barabartë të gjithë ndjekësit e Haxhi Bektash Veliut, pavarësisht racës, kombit apo vendit. Sigurisht trafikimi i qenieve njerëzore në Shqipëri, tanimë është një realitet i dhimbshëm dhe i pranuar nga të gjithë ne. Shoqëria jonë nuk është as e para dhe as e fundit, që jeton me këtë plagë të hapur dhe sinqerisht ne jemi kurdoherë në mbështetje të plotë të segmenteve dhe mekanizmave përkatës të shtetit shqiptar, në çdo nismë dhe aksion të tyre që nënkupton parandalimin e fenomenit në fjalë. Ne inkurajojmë ndërkaq çdo nismë dhe përpjekje të shoqërisë civile, jo thjeshtë për ndjeshmëritë e përcjella, por edhe për një varg zgjidhjesh adekuate dhe afatgjata, të bindur se lehtësohen sadopak dhimbjet e të lënduarve nga këta trafiqe.
Ndërkaq, ne si komunite fetarë, askurrë nuk e kemi parë veten jashtë kësaj lufte dhe përpjekje, për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore. Prej kohësh, çdo mejdan teqeje, çdo kafe-oxhak, çdo kuvendim në ditë festash fetare, ka qenë dhe mbetet i hapur për ngjarje, biseda, apo nisma që lidhen me trafiqet. Sidomos në biseda me të rinjtë, klerikët tanë anekënd Shqipërisë, janë përpjekur të rrënjosin në vetëijen e tyre, idenë se jeta njerëzore është dhuratë e Zotit dhe ajo duhet jetuar vetëm e vetëm sipas parimeve moralë dhe hyjnorë, duke shpërfillur në çdo çast ngazëllimet e kësaj bote. Ne nuk kemi munguar gjithashtu të mbajmë kontakte të rregullta me familjarë apo familje që janë kërcënuar, apo kanë rënë preh e trafikimit, duke përcjellë tek ata jo vetëm urtësinë, por edhen denjat e shpresës për ditë më të mira. Sikundër kemi inkurajuar mekanizmat përkatës shtetërorë, të parandalojnë çdo situatë të mundshme trafikimi dhe në raste të kryera të marrin çdo masë për gjetjen dhe vënien përpara ligjit të fajtorëve.
Besoj se ndajmë të njëjtën ide së bashku, që qeniet njerëzore të trafikuara, janë të barabarta me të gjithë ne, në kuptimin e begative që Krijuesi na ka afruar.  Vetëm përkohësisht dhe pa të drejtë, këtyre  qenieve të pafajshme u janë mohuar, apo mohohen begatitë e destinuara, ndaj është detyra jonë  e klerikëve fetarë, t`u qëndrojmë sa më pranë këtyre njerëzve dhe t`u shpjegojmë përkohshmërinë e fatkeqësisë. Madje t`i drejtojmë për nga shpresa dhe me vullnetin e Zotit t`i pranojë krahëhapur në mesin tonë. Më tepër se mëshirë, ky është një detyrim i madh, i yni, detyrim që të jemi të gjithë së bashku në udhëtimin tonë të përjetshëm shpirtërorë…”
Në konferencë diskutuan e dhanë mendimet e tyre dhe: Shkëlqesia e Tij, Imzot Luigi Bonazi, Numci Apostolik në Shqipëri; Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë; Haxhi Bujar Spahiu, kryetari i Komunitetit Mysliman në Shqipëri; Fortlumturia Anastas Janullatos, Kreu i Kishës Autoqefale të Shqipërisë; Pastor Ylli Doçi, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë…

Përgatiti:
Sheldiana AGARAI-JANO