Në kuadrin e “Vitit të Naimit” (25 maj 2020 -25 maj 2021), Kryegjyshata Botërore Bektashiane, komuniteti sportiv “Dushk” dhe rinia bektashiane Dushk-Lushnjë-Fier Shegan, organizuan më 29 dhjetor 2020 në qytetin e Lushnjës, veprimtarinë sportive futbollistike, kupa “Dy vëllezërit”. Synimi i këtij aktiviteti që pason shumë aktivitete të tjera të zhvilluara nga Selia e Shenjtë Bektashiane, në kuadër të “Vitit të Naim Frashërit”, ishte që në këtë vit të vështirë pandemik, të sensibilizohet sa më shumë rinia për dobinë e aktiviteteve, ndjenjave të urtësisë, tolerancën fetare, bashkimit e fqinjësisë, forcimin e besimit në Zot dhe evitimin e streseve morale e fizike që po shoqërojnë këtë pandemi. Njëkohësisht, nga organizatorët, ky aktivitet i rinisë bektashiane përfshiu edhe përkujtimin e 5-vjetorit të kalimit nga jeta të baba Arshi Bazajt në teqenë e Detroitit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky aktivitet u zhvillua nën kujdesin e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Organizimi teknik i këtij aktiviteti iu besua z. Kujtim Baze, i cili me përkushtimin dhe mbështetjen e dhënë, arriti të bëj pjesë të këtij aktiviteti ekipet e të rinjve bektashianë nga shumë fshatra të Lushnjes e më gjerë. Njëkohësisht, një kontribut të çmuar dhanë në përgatitjen dhe gjatë aktivitetit dhe z. Orges Baze, z. Novrus Fusha dhe znj. Liljana Sinani
Për organizatorët e pjesëmarrësit e këtij aktiviteti, përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, bekimi i tij, u pritën me adhurim dhe krijoi një atmosferë miqësore, shoqërore e besimi, e cila vazhdoi gjatë gjithë aktivitetit. “…Si Kryegjysh i Bektashinjve, ju uroj e bekoj të gjithëve për këtë aktivitet që përfshihet në kuadër të aktiviteteve të shumta që ne kemi organizuar e do organizojmë në kuadër të vitit të Naim Frashërit, aktivitet i cili është i fundit për këtë vit të vështirë që po mbyllim. Ndaj dhe ne, e kemi mbështetur me kënaqësi këtë aktivitet të rinisë bektashiane. Zoti ju bekoftë ju e familjet tuaja..”- thuhej në përshëndetjen e Dede Edmond Brahimajt.
Takimet u zhvilluan me entusiazëm, në kushtet e masave mbrojtëse të pandemisë, duke krijuar një atmosferë festive për pjesëmarrësit dhe medien e pranishme në këtë aktivitet. Në përfundim të ndeshjeve, u dhanë dhe stimujt për fituesit. Vendin e parë e zuri ekipi i Fier-Sheganit, të dytin ekipi i Dushkut. Kupën, skuadrës fituese të Fier-Sheganit, ua dorëzoi përfaqësuesi i Lushnjë në regjistrimin bektashian, z. Estref Çullai. Për fituesit, u dhanë dhe stimuj material (të holla), afruar nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Në bazë të programit njëvjeçar të “Vitit të Naim Frashërit” të Selisë së Shenjtë, që nga fillimi i vitit 2021, rinisin aktivitete të ndryshme kulturore, shkencore e sportive,
Fotot e aktivitetit: Ermal Xhumari
Përgatitën: Nuri Çuni
Kujtim Boriçi