Në kuadër të infrastrukturës së kërkimit shkencor në shkencat fetare, RESILIENCE (projekt evropian), “Albanian University” së bashku me Kryegjyshatën Botërore të Bektashizmit zhvilluan më datë 12 nëntor 2024 aktivitetin shkencor me temë “Roli i figurave bektashiane në Shpalljen e Pavarësisë dhe në ruajtjen dhe pasurimin e vlerave kombëtare”, që u trajtua nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, duke sjellë shumë të dhëna dhe argumente për patriotët bektashianë, që i’a përkushtuan veprimtarinë dhe jetën e tyre fitores së pavarësisë së vendit, duke i lënë trashëgime të çmuara Kombit Shqiptar. Një ndihmesë në organizimin e këtij aktiviteti u dha dhe nga historiania Prof. Dr. Kaliopi Naska, e cila theksoi rëndësinë e angazhimit të “Albanian University” në këtë projekt dhe shprehu mirënjohje dhe për ndihmesën e dhënë nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, në drejtim të historisë, trashëgimisë kulturore të këtij komuniteti në bashkëpunim me të gjitha komunitetet fetare në vend. Në këtë aktivitet u krye dhe prezantimi i ekspozitës:“Bektashizmi dhe Pavarësia” nga Z. Nuri Çuni, Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, e cila pasqyronte rolin e bektashizmit në Shpalljen e Pavarësisë dhe në ruajtjen e pasurimin e vlerave atdhetare në shërbim të kombit. Të pranishëm në aktivitet ishin Rektori i “Albanian University”, Prof. Dr. Pavllo Kongo, pedagogë dhe studentë të cilët shfaqën interes për historinë dhe vlerat, që ky besim kishte dhënë një kontribut të madh kombëtar në Shpalljen e Pavarësisë, dhe pasqyrimit të idealit kombëtar në kultet fetare. Rektori i universitetit vlerësoi këtë bashkëpunim dhe mbështetjen e treguar në veprimtaritë e përbashkëta, në zbatim të këtij projekti, si dhe falenderoi Kryegjyshin Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj për dhurimin e disa librave historikë të botuara nga Kryegjyshata Botërore e Bektashizmit në pasurim të bibliotekës së universitetit, si dhe për dhurimin tek të gjithë studentët pjesëmarrës, një numër të revistës Urtësia.