AKTIVITETET SPORTIV NË LAPARDHA TË BERATIT PËR 14-VJETORIN E FRONËZIMIT TË KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN, HAXHI DEDE BABA, EDMOND BRAHIMAJ

Në kuadër të 14-vjetorit të Fronëzimit në krye të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane të Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, më 11 qershor 2025, në orën 17:00, në fushën sportive të Njësisë Administrative Lapardha 1, Bashkia Berat, u zhvillua një aktivitet sportiv me karakter festiv dhe edukativ.

Aktiviteti, i titulluar “Fronëzimi”, organizuar në nder të kësaj dite të shënuar, mblodhi gjashtë ekipe të futbollit të moshës U-13 nga rrethet e Lushnjës dhe Beratit. Në veprimtari morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si dhe media vendore, përfaqësuar nga gazetari dhe publicisti i njohur Sulo Gozhina.
Organizatorët e aktivitetit, z. Kujtim Baze nga Komuniteti Bektashian i Lushnjës dhe z. Gramos Cjapi, e zhvilluan këtë nismë për të katërtën herë me kujdesin e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Skuadrat pjesëmarrëse ishin:
“Lushnja 1920” me trajner Judmir Gazheli
“Ylberi”, Lushnjë me trajner Indit Qerimi
“Tomorri B” me trajner Bledar Fetai
“Tomorri L” me trajner Jurgens Gremshi
“Akademia Jek Baze”, Dushk-Lushnjë me trajner Orgest Baze
Ekipi vendas, “Lapardhaja”
Përshëndetjet dhe mesazhet e rastit u përcollën nga z. Nuri Çuni, Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, i cili transmetoi mesazhin e Baba Mondit: “Të duam sportin, të përgatitemi fizikisht për t’u larguar nga veset e këqija, të duam mësimet, dashurinë, vëllazërinë dhe edukimin me vlerat e moralit bektashian.”
Ndërsa z. Admir Grembi, Kryetar i Njësisë Administrative Otllak, falënderoi organizatorët për aktivitetin dhe uroi Kryegjyshin Botëror për drejtimin e urdhrit bektashian. Edhe z. Bajram Tabaku, Kryetar i fshatit Lapardha 1, shprehu mirënjohjen për Kryegjyshatën Botërore dhe veçanërisht për Baba Mondin, duke e quajtur këtë veprimtari një nder për fshatin.
Pas zhvillimit të ndeshjeve, u shpallën fituesit:
Vendi i parë: “Lushnja 1920”
Vendi i dytë: “Ylberi”, Lushnjë
Vendi i tretë: “Akademia Jek Baze”, Dushk-Lushnjë
Ekipet “Tomorri B” dhe “Tomorri L” u renditën në vijim, duke dhënë një paraqitje të denjë.
Për të gjithë fëmijët pjesëmarrës u shpërndanë medalje të personalizuara me logon e 14-vjetorit të Fronëzimit të Kryegjyshit Botëror, ndërsa ekipet fituese morën kupa si simbol i paqes, harmonisë dhe vëllazërisë bektashiane. U ndanë gjithashtu Certifikata Mirënjohjeje për sportistët dhe për mikpritësit e rinisë sportive të Lapardhasë.
Në përmbyllje të aktivitetit, të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan kontributin e çmuar të Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, në promovimin e edukimit dhe sportit tek brezat e rinj.