
Ambasadori i ri i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, z. Gabriel Cremades Ventura vizitoi sot Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku u prit edhe nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shentëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Kryegjyshi i uroi mirëseardhjen për herë të parë Ambasadorit dhe e njohu atë me historinë e bektashizmit, përfshirë peripecitë dhe persekutimet që ky komunitet ka kaluar gjatë shekujve, deri në vendosjen e Qendrës Botërore Bektashiane në Shqipëri.
Gjatë takimit u zhvillua një bisedë e hapur dhe miqësore mbi jetën fetare e shoqërore në vendin tonë dhe mbi rëndësinë që ka mirëkuptimi ndërfetar. Kryegjyshi Botëror theksoi rolin e Komunitetit Bektashian dhe të gjithë besimeve në forcimin e harmonisë ndërfetare, ndërsa Ambasadori Ventura vlerësoi këtë kontribut dhe shfaqi gatishmërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin mes Spanjës dhe Shqipërisë.
Në takim u fol edhe për situatat e luftërave në botë, duke u ngritur lutje për paqe kudo ku ka vatra konflikti.
Në përfundim, të dyja palët shkëmbyen urime për harmoni, paqe e dashamirësi mes kombeve, duke e parë këtë si një bazë të shëndoshë për ndërtimin e urave të miqësisë dhe bashkëpunimit jo vetëm mes institucioneve, por mbi të gjitha mes njerëzve.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ
FOTOT: Nuri ÇUMANI





