
Ditën e sotme, 24 qershor 2025, Ambasadori i Republikës së Sllovakisë në Shqipëri, Sh. Tij. Z. Albín Otruba, zhvilloi një vizitë kortezie në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku u prit edhe nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Gjatë bisedës, Kryegjyshi Botëror i prezantoi Ambasadorit historinë e pasur të bektashizmit, një trashëgimi shpirtërore dhe kulturore që prej shekujsh ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë dhe jetën shpirtërore të shqiptarëve. U theksua veçanërisht kontributi i bektashinjve në shtetformimin e Shqipërisë, duke kujtuar me respekt figurat e mëdha të Rilindjes Kombëtare dhe lidhjen e ngushtë të vëllezërve Frashëri me bektashizmin.
Kryegjyshi ndau me Ambasadorin historinë e gjatë të sakrificave të klerikëve bektashinj në ruajtjen e besimit, veçanërisht gjatë periudhës së regjimit komunist, kur feja ishte e ndaluar në Shqipëri. Ai vuri në dukje se ringritja e besimit bektashian pas rënies së diktaturës ishte një nga dëshmitë më të fuqishme të qëndrueshmërisë shpirtërore dhe përkushtimit të këtij komuniteti.
Një moment i veçantë i takimit ishte biseda mbi ardhjen e Qendrës Botërore të Bektashizmit në Shqipëri, duke e kthyer vendin tonë në një pikë referimi për të gjithë ndjekësit e kësaj tradite të lashtë anembanë botës.
Pas takimit në seli, vizita vijoi në Qendrën multifunksionale “Odeon”, ku Ambasadori pati mundësinë të vizitojë Muzeun Bektashian, i cili pasqyron historinë, objektet e shenjta të besimit bektashian, si dhe dokumenton kongreset e rëndësishme që janë mbajtur gjatë shekujve. Gjithashtu, Ambasadori u njoh me galerinë e pikturave të artistit të njohur Omer Kaleshi, si dhe me hapësirat e tjera të rëndësishme si arkiva, fototeka, biblioteka dhe fonoteka e Kryegjyshatës.
Në përfundim të vizitës, në shenjë mirënjohjeje dhe miqësie, Kryegjyshi Botëror i dhuroi Ambasadorit disa nga botimet më të rëndësishme të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, që reflektojnë thellësinë shpirtërore dhe historike të këtij besimi.
Vizita u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe respekti të ndërsjellë, duke forcuar urat e komunikimit ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit sllovak, përmes vlerave të përbashkëta të respektit, dialogut dhe bashkëjetesës paqësore.
Përgatiti: Xh. CULLHAJ
Fotot: Nuri ÇUMANI















