Ditën e mërkurë, 20 nëntor 2024, Ambasadori i Vatikanit në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij, Monsinjor Luigi Bonazzi zhvilloj një vizitë në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë, ku u prit edhe nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Në këtë takim kortezie, u fol dhe diskutua për historikun e Bektashizmit, për çështje të ndryshme të mistikës dhe rëndësinë që Zoti ka në fuqinë e krijimit të njeriut, heqjen e egoizmit dhe të këqijave të njerëzimit.
U fol gjithashtu edhe për mardhëniet ndërfetare, në kuadër të vijimit të bashkëpunimit ndërfetar në funksion të paqes, prosperitetit e frymës tolerante dhe bashkëpunimit midis religjioneve.
Kryegjyshi Botëror, vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme miqësore me Selinë e Shenjtë të Vatikanit ku theksoi rëndësinë dhe kujdesin e vazhdueshëm, që duhet të tregojmë për ruajtjen e tyre, të cilat sipas Tij në kontekstin e harmonisë fetare në Shqipëri, shkojnë përtej përkatësive fetare, me qëllim ruajtjen e paqes dhe kohezionit social.
Takimi vijoi më tej me vizitën e Ambasadorit Bonazzi në qendrën fetare-kulturore të Selisë së Shenjtë Bektashiane (Odeon), në muzeun bektashian, bibliotekën, arkivin, galerinë, fonotekë/fototekë etj.
Në fund të këtij takimi, pasi shkëmbyen bisedat vëllazërore dhe mirënjohjet reciproke, Ambasadori Bonazzi, duke e falenderuar Kryegjyshin për pritjen e ngrohtë, u shpreh se është kënaqësi e veçantë, vizita në mjedise të tilla, që frymëzojnë vetëm paqe dhe mirësi dhe se marrëdhëniet midis Vatikanit dhe Qendrës Botërore Bektashiane, do të jenë kurdoherë vëllazërore, në të mirë të paqes dhe të lirive fetare.
Përgatiti: Xh. CULLHAJ