Ditën e premte, 31 maj 2024, arkeologu dhe politikani i njohur, z. Neritan Ceka vizitoj Selinë e Shenjtë Bektashiane, në Tiranë ku u prit edhe nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Pas përshëndetjes dhe mirënjohjeve reciproke, Kryegjyshi e njohu z. Ceka më nga afër me muzeun e bektashizmit, bibliotekën, arkivin, fototekën/ fonotekën, galerinë etj. si dhe me historinë 800 vjeçare të Bektashizmit, përmes veprave të ruajtura në muze dhe në bibliotekë. Po ashtu, Kryegjyshi theksoi rolin që Kryegjyshata Botërore ka luajtur dhe luan në dialogun dhe harmoninë fetare si dhe vizionin e saj për përhapjen e mesazhit të pastër e të drejtë të paqes në Shqipëri, rajon e më gjerë.
Gjatë vizitës z. Ceka u shoqërua edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë z. Nuri Çuni dhe specialistët e Muzeut të Bektashizmit.
Z. Ceka u impresionua nga sa pa dhe u informua, duke shprehur njëkohësisht dhe vlerësimin për misionin dhe përpjekjet e besimit bektashian dhe në veçanti të Kryegjyshit Botëror, Dede Baba Edmond Brahimaj, në të mirë të forcimit të paqes, dashurisë njerëzore, harmonisë fetare dhe besimit në Zot. Po ashtu përgëzoi edhe për punën dhe angazhimin e Selisë së Shenjtë dhe Komunitetit Bektashian në raport me bashkësitë e tjera fetare.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ
Fotot: N. ÇUMANI