ASAMBLEJA PARLAMENTARE E OSBE-SË (AP OSBE) ZHVILLOI NJË VIZITË ZYRTARE NË KUVENDIN E SHQIPËRISË

Asambleja Parlamentare e OSBE-së (AP OSBE) dhe Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar në Tiranë, në datën 28 tetor 2023, një vizitë zyrtare të “Rrjetit Informal të Parlamentarëve të Rinj” në AP OSBE. Si pjesë e programit të vizitës është zhvilluar një takim zyrtar i delegacionit dhe Përfaqësuesve të Komuniteteve Fetare në Shqipëri, në Kryesinë e Kuvendit, përgjatë të cilit janë shkëmbyer ide rreth rolit dhe impaktit që ka përfshirja e politikanëve dhe parlamentarëve të rinj në përgjigjen ndaj sfidave me të cilat po përballet demokracia dhe solidaritetit e harmonisë midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme.
Në këtë takim mori pjesë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili në fjalën e rastit e vuri theksin te paqja, toleranca fetare dhe harmonia ndërfetare. Ndër të tjera Ai u ndal edhe tek një historik i shkurtër i rrugëtimit 800 vjeçar të besimit të paqtë Bektashian, Kryegjyshatës Botërore si edhe ardhjes për herë të parë të qendrës botërore në Shqipëri.
Po ashtu, u ndal edhe tek një historik i shkurtër i epokës së diktaturës.
Në fund, Kryegjyshi dha edhe një mesazh të fortë drejtuar të rinjve për detyrimin ndaj atdheut, për të qëndruar këtu dhe jo për ta braktisur vendin.

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ