Në kuadër të promovimit të turizmit, atraksioneve në Tiranë, galerive, teatrove dhe kinemave, vendeve historike të një rëndësie të veçantë, muzeumeve etj, Bashkia e Tiranës, ka realizuar një tur të shkurtër, ku fton të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huaj, për të vizituar atraksionin mbresëlënës, “Muzeun e Bektashizmit” në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Këtë muze, me një paraqitje arkitektonike dhe artistike të veçantë, ku nëpërmjet dokumenteve, fotove dhe relikteve, vizitori njihet në mënyrë kronologjike, me historinë 800 vjeçare të bektashizmit, si degë e fuqishme e trungut të fesë Islame, duke filluar me Kuranin e Shenjtë, Profetin Muhamed (a.s.), Familjen e Ehli Bejtit dhe 12 Imamët. Për ngritjen e këtij muzeu, nën drejtimin dhe kujdesin e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, punuan muzeologë, arkitektë, inxhinierë, piktorë e dizajner etj…