Bektashinjtë festojnë ditën e bekuar të Sulltan Novruzit

Në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u festua sot, Sulltan Novruzi. Si rrallë ndonjëherë, mjediset festive të kryeqendrës Bektashiane, pritën besimtarë të shumtë në ritet e kësaj feste të bekuar, vizitorë nga e gjithë Shqipëria, nga Kosova, Republika e Maqedonisë Veriore, nga vende të ndryshme të Europës ku punojnë e jetojnë bektashinj, funksionarë të lartë shtetëror, krerë të besimeve fetar në Shqipëri, ambasadorë e diplomatë të përfaqësive diplomatike në Tiranë etj…
Ndër të tjera, në ceremoninë përkatëse dhe pritjen e Kryegjyshit Dede Edmond Brahimaj ishin dhe: Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, Kreu i Bashkisë së Trianës, z. Erion Velija, Kryetari i Këshillit të Qarkut të Tiranës, Prefekti i Qarkut të Tiranës, ambasadorë apo përfaqësues të ambasadave të:përfaqësues të Hollandës, Gjermanisë, Spanjës, Suedisë, Katarit, Nunci Apostolik, Ukrainës, Palestininës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sllovenisë, Italisë, Drejtoresha e CVE, Kryetari i Komitetit të Kulteve të Shqipërisë,
Kryetari bashkisë Stamboll Meltepe Ali Këllëçi, Enkelejd Alibejaj (grupi parlamantar PD), Monsnjor Arjan Dodaj, Bishop Asti Bakallbashi, Pastor Ylli Doçi, Kryetar Komunitetit Mysliman Bujar Spahiu, Kryetar i Shoqates Tirana Arben Kraja, deputetë, funksionarë të lartë shtetërorë etj…
Në fjalën e tij përshëndetëse, që parapriu ritet tradicionale të Sulltan Novruzit, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera pohoi: “Të nderuar motra dhe vëllezër, të pranishëm që keni ardhur të ndani fizikisht, së bashku me ne, emocionet e ditës së bekuar të Sulltan Novruzit! Si kryegjysh Botëror i Baktashizmit, më lejoni që t`ju uroj e bekoj! Paçi dritën e Zotit të Madh në udhëtimin e mrekullueshëm drejt besimit, paçi fat e lumturi të përjetshme në jetët tuaja, për të kaluar sa më lehtë këto situata që po kalojmë sot!
Sulltan Nevruzi, ka qenë dhe do të mbetet një date unikale, në kalendarin e miliona njerëzve të tarikateve, si edhe sufijve në mbarë botën islame. Personifikimi i një dite të re, plot diell e dashuri hyjnore, ka bashkudhëtuar me këtë datë, duke kaluar nga shekulli në shekull, idenë lume të një jete që rilind prej dashurisë së Krijuesit. Duke pasur në substance të jetëve tona shpirtërore, pikërisht këtë dashuri, ne u largohemi çdo ditë gjerave vdekatare, ne u afrohemi mirësive dhe begative, duke dashur e respektuar njeri-tjetrin, duke ngritur mbi themele të shëndoshë familjen, duke bashkuar fatet tanë njerëzorë me fatet e kombit. Si ndjekës besnikë të tarikateve të Islamit, njëherazi sot, ne festojmë edhe ditëlindjen e Imam Aliut, paqja qoftë me Të, jeta dhe vepra e të cilit, mbeten shembull dhe frymë e lartë shenjtërie, në gjirin e krejt familjes myslimane. Cilësitë e vyera të skalitura në personalitetin e Tij, mbeten ende sot, pika referimi jo thjeshtë në qasjen tone për detet dhe qiejt e mistikës fetare, por edhe në rrafsh të zhvillimeve aktuale njerëzor. Ne po pasurojmë thesarin e mendimit të Tij, me qëndrimet e sotme ndaj Krijuesit, ndaj shoqërisë njerëzore, ndaj çdo plage apo shkëlqimi të kohës që jetojmë. Ndërkaq dita e sotme, do të mbetet e shënuar në historinë botërore të tarikatit bektashian. 31 vite më parë, më 22 marsin e vitit 1991, u riçel Selia e Shenjtë Bektashiane këtu në Tiranë, u rihap dera e Haxhi Bektash Veliut për besimtarët e Shqipërisë, Ballkanit dhe botës mbarë. Prandaj dhe e mbushëm këtë shesh të bekuar në 22 marsin e vitit 1991, me zërat dhe shpirtrat tanë të lumtur. Prandaj iu bashkuam shenjtores, nënë Terezë, baba Reshat Bardhit, baba Sherif Canometaj, baba Selim Kaliçanit, baba Bajram Mahmutaj etj, duke lënë pas krahëve një histori rrënqethëse. Midis dy regjimeve të marsit që vinte pas stinës së dimrit dhe besimit që vinte kaq e kaq dimrave ateist ne ishim vërtetë, njerëzit më me fat në ato ditë. Këto tri dekada të riçeljes së Selisë sonë të Shenjtë, në të vërtetë janë të mbushura me dëshmi të gjalla të një besimi të shenjtë, i cili përpara se të ngrejë teqe apo tyrbe të reja, ka ngritur në shkallë të pa rrëfyera, devocionin ndaj Krijuesit. Ne jemi të përgjegjshëm për misionin historik që mbartim dhe do ta çojmë në vend këtë mision, duke ecur në gjurmët e ndritura të klerikëve dhe besimtarëve tanë paraardhës.
…Ky 22 mars, kjo ditë e Bekuar e Sulltan Novruzit, sivjet na gjenë dhe me disa probleme e vështirësi, si pasojë e pandemisë që ende e kemi nëpër këmbë, luftës vrastare në Ukrainë dhe disa probleme sociale e ekonomike që po kalon vendi ynë, e jo vetëm.  Në këtë situatë, unë i bashkohem përpjekjeve për minimizimin e këtyre shqetësimeve serioze, për forcimin e radhëve e dashurisë mes njëri-tjetrit, për më shumë paqe e harmoni, për më shumë solidaritet njerëzor e shpirtëror. Për mbi të gjitha, për më shumë shpresë e besim tek i Madhi Zot, që këto dit të vështira të mbeten pas. Gëzuar Sulltan Novruzin! Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin!”.
Në përshëndetjen e tij, në ceremoninë përkatëse, Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Meltepe Ali Këllëçi, dhuroi portretin pikturë të Kryegjyshit Botëror Dede Edmond Brahimaj, një punim me vlera të veçanta artistike.
Kryetari i Shoqatës Tirana z.Arben Tafaj i dhuron Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, titullin “Fisnikëria Tiranase”.
Në vazhdim, Dede Edmond Brahimaj, priti qindra besimtarë e vizitorë, të cilët u qerasën dhe me produktet tradicionale të festës së bekuar të Sulltan Novruzit.

Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI

Fotot: Nuri ÇUMANI