Kryegjyshin Botëror Dede Edmond Brahimaj, e uruan dhe Presidenti i Republikës z. Ilir Meta; ministra; deputetë; ambasadorja amerikane Yuri Kim; nga ambasadat e Italisë, Gjermanisë, Kosovës, Suedisë, Indisë, Izraelit, Palestinës etj…
Nga Sheldiana AGARAI
Ditën e djeshme, në Selinë e Shenjtë të Bektashinjve në Tiranë, qindra besimtarë nga treva të ndryshme të vendit, por dhe nga jashtë Shqipërisë, festua dhe kryen ritet tradicionale të festës së Sulltan Novruzit. Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u uroi mirëseardhjen dhe u uroi më tepër paqe, dashuri mes njeri-tjetrit dhe shpresë tek Zoti, për të përballuar këto situata të vështira që po kalojmë sot. Edhe pse mot i paqëndrueshëm, në kushte pandemie dhe në zbatim të plotë të masave mbrojtëse, nuk i penguan pjesëmarrësit e shumtë të kryejnë ritet e kësaj dite të shënuar. Në këtë ditë, Kryegjyshi Dede Edmond Brahimaj, priti urimet nga funksionarë të lartë të Shqipërisë, ministra, deputetë, ambasadorë, intelektualë e personalitete të njohur. Në ceremoni ishin dhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu dhe drejtues e përfaqësues të besimeve fetarë në Shqipëri.
Selinë e Shenjtë e vizituan dhe bënë urimet e tyre dhe Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, funksionarë të ambasadave të Italisë, Gjermanisë, Kosovës, Suedisë, Indisë, Izraelit, Palestinës
Hapjen zyrtare të ceremonisë, e bëri Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili ndër të tjera tha:“Sulltan Nevruzi, ka qenë dhe do të mbetet një date unikale, në kalendarin e miliona njerëzve të tarikateve, si edhe sufijve në mbarë botën islame. Personifikimi i një dite të re, plot diell e dashuri hyjnore, ka bashkudhëtuar me këtë datë, duke kaluar nga shekulli në shekull, idenë lume të një jete që rilind prej dashurisë së Krijuesit. Duke pasur në substance të jetëve tona shpirtërore, pikërisht këtë dashuri, ne u largohemi çdo ditë gjerave vdekatare, ne u afrohemi mirësive dhe begative, duke dashur e respektuar njeri-tjetrin, duke ngritur mbi themele të shëndoshë familjen, duke bashkuar fatet tanë njerëzorë me fatet e kombit. Si ndjekës besnikë të tarikateve të Islamit, njëherazi sot, ne festojmë edhe ditëlindjen e Imam Aliut, paqja qoftë me Të, jeta dhe vepra e të cilit, mbeten shembull dhe frymë e lartë shenjtërie, në gjirin e krejt familjes myslimane. Cilësitë e vyera të skalitura në personalitetin e Tij, mbeten ende sot, pika referimi jo thjeshtë në qasjen tone për detet dhe qiejt e mistikës fetare, por edhe në rrafsh të zhvillimeve aktuale njerëzor. Në mënyrë të veçantë ne bektashinjtë, ndihemi krenar që filozofinë dhe urtësinë e këtij Imami të Lartësuar, e kemi bërë pjesë të pandarë të doktrinës dhe vet zhvillimit të tarikatit. Ne po pasurojmë thesarin e mendimit të Tij, me qëndrimet e sotme ndaj Krijuesit, ndaj shoqërisë njerëzore, ndaj çdo plage apo shkëlqimi të kohës që jetojmë. Ndërkaq dita e sotme, do të mbetet e shënuar në historinë botërore të tarikatit bektashian. Plot 30 vite më parë, më 22 marsin e vitit 1991, falë erërave të demokracisë shqiptare, u riçel Selia e Shenjtë Bektashiane këtu në Tiranë, u rihap dera e Haxhi Bektash Veliut për besimtarët e Shqipërisë, Ballkanit dhe botës mbarë. Mbyllura gjerësisht në vitin 1967, sikundër të gjitha objektet e kultit në vendin tonë, Selia jonë e Shenjtë u bëri ballë dallgëve të asaj kohe, pavarësisht tjetërsimit fizik të saj. Edhe në vitet 1967-1990, ne erdhëm këtu fshehurazi, klerikë të veshur më uniforma pune dhe besimtarë të çdollojshëm. Shkuam pranë mezarit të Sali Niazi Dede, këtij martiri të lirisë së kombit, bëmë lutjet tona, kërkuam pareshtur ndihmën e Zotit duke besuar kurdoherë me shpirt se Ai na dëgjonte. Prandaj dhe e mbushëm këtë shesh të bekuar në 22 marsin e vitit 1991, me zërat dhe shpirtrat tanë të lumtur. Prandaj iu bashkuam shenjtores, nënë Terezë, baba Reshat Bardhit, baba Sherif Canometaj, baba Selim Kaliçanit, baba Bajram Mahmutaj etj, duke lënë pas krahëve një histori rrënqethëse. Midis dy regjimeve të marsit që vinte pas stinës së dimrit dhe besimit që vinte kaq e kaq dimrave ateist ne ishim vërtetë, njerëzit më me fat në ato ditë. Këto tri dekada të riçeljes së Selisë sonë të Shenjtë, në të vërtetë janë të mbushura me dëshmi të gjalla të një besimi të shenjtë, i cili përpara se të ngrejë teqe apo tyrbe të reja, ka ngritur në shkallë të pa rrëfyera, devocionin ndaj Krijuesit. Ne jemi të përgjegjshëm për misionin historik që mbartim dhe do ta çojmë në vend këtë mision, duke ecur në gjurmët e ndritura të klerikëve dhe besimtarëve tanë paraardhës. Është viti i dytë që neve, me gjithë dëshirën për t`u pare dhe takuar fizikisht, jo thjeshtë këtu në Selinë e Shenjtë, por edhe në shtëpitë tona, nga Vlora në Tetovë, nga Korça në Gjakovë, nga Gjirokastra në Dibër, nuk mund ta bëjmë diçka të tillë. Pandemia botërore, protokollet zyrtare, përgjegjshmëria jonë përballë këtij realiteti të trishtë, na kanë kufizuar çdo ditë e më shumë. Por kjo situatë, nuk na ka penguar aspak, të jemi shpirtërisht pranë njeri-tjetrit jo thjeshtë për t`i shprehur ndjenjat e solidaritetit, por mbi të gjitha për t`iu gjendur sa më pranë, atyre që humbën të dashurit të tyre, atyre që vuajtën prej kësaj pandemie. Ne por rrëfejmë edhe në këto ditë të vështira, të jemi të bashkuar në të dy familjet, atë biologjike dhe atë shpirtërore, duke lutur Zotin e Madh të na japë forca dhe shpresë për ditët që vijnë. Ndërkaq nga faltorja e kësaj dite-simbol për bektashinjtë e gjithë botës, më lejoni t`u bashkohem shqetësimeve të mëdha që kalon Shqipëria, prej këtij tranzicioni pambarim. Ne të gjithë besoj të jemi të një mendje, që Zoti i ka falur vendit tone pasuri të pallogaritshme, siç jemi besoj të një mendjeje se klasa politike në këto tri dekada nuk ka punuar që këto pasuri t`u venë shqiptarëve, por familjarëve të tyre..”
Vizitorët e shumtë, panë nga afër dhe mjediset e odeonit bektashian, ekspozitën fotografike me këtë rast, muzeun e pasur, bibliotekën, galerinë etj. Ky event i rëndësishëm bektashian, u përcoll nga media vendase dhe gazetarë të huaj që kishin ardhur enkas në Tiranë për Sulltan Novruzin. Ndërkohë, përkimi i kësaj feste me 30 vjetorin e rihapjes së bektashizmit në Shqipëri, e bëri më të bukur e më të pasur këtë ditë të shënuar.