Ditën e sotme, Kryegjyshata Botërore Bektashiane Selia e Shenjtë, nën kujdesin e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në bashkëpunim me “Aleancën për dhurimin e gjakut” zhvilluan seancën e dhurimit të gjakut, në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe të sëmurëve kronikë.
Në këtë seancë, mori pjesë sot edhe Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, duke falënderuar Kryegjyshin Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj për impenjimin e Tij të drejtpërdrejtë në këtë kauzë duke dhuruar gjak, si dhe nëpërmjet thirrjes drejtuar besimtarëve bektashianë, për t’iu bashkuar kësaj veprimtarie humanitare.
Në një prononcim për mediat, Kreu i Shtetit u shpreh:
Dua të falënderoj Kryegjyshatën Botërore Bektashiane dhe në veçanti Kryegjyshin Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për këtë përgjigje të menjëhershme të kërkesës, për të ftuar besimtarët, qytetarët dhe në veçanti të rinjtë për të kontribuar vullnetarisht në një moment tepër delikat për dhurimin e gjakut.
Për shkak të stinës së verës dhe kufizimeve të pandemisë COVID-19 është domosdoshmëri të organizojmë seanca të tilla edhe në ditët e ardhshme, në mënyrë që fëmijëve që vuajnë nga talasemia dhe të gjithë të tjerët që kanë sëmundje kronike, të vazhdojnë normalisht jetën të pashqetësuar dhe të pakërcënuar nga mungesa e gjakut”, – theksoi Presidenti Meta.
Ndërsa Kryegjyshi Botëror, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, pasi dhuroj vetë gjak, ndër të tjera u shpreh se: “Dhurimi i Gjakut nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane bëhet për të shpëtuar një jetë. Iu jemi pranë njerëzve në nevojë, të jemi të bashkuar në këtë moment pandemie të vështirë që ka pushtuar globin. Faleminderit Zotit që na dha mundësinë dhe besimtarëve që të mund të bëjmë më të mirën për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve që kanë sot nevojë”.