Ditën e sotme, në mjediset e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë, nën kujdesin e veçantë të Kryegjyshit Botëror, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u kremtua ceremonia e Ashures, një riti tradicional Bektashian, që përkujton me veneracion heroin e Qerbelasë, Imam Hysenin dhe 72 dëshmorët e tij, që u vetflijuan, gjer në sakrificën njerëzore, sublime, për mbrojtjen e idealeve të jetës.
Kryegjyshi Botëror, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, pas fjalës së rastit, ku uroi besimtarët dhe shqiptarët për më shumë paqe, dashuri, vëllazëri për të ecur në rrugën e Zotit, zhvilloj një ritual të veçantë në kujtim dhe nderim të Imam Hysenit dhe 72 dëshmorëve të Qerbelasë.
Dita e Ashures, është një nga ditët e shënuara për miliona bektashinj në gjithë botën dhe dashamirës të këtij besimi të paqtë.
Nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror, u morën, u panë dhe u vlerësuan në detaje të gjitha masat, në mënyrë që ashtu si tradicionalisht, kjo ngjarje e shënuar të jetë e suksesshme.
Gjatë fjalës së tij, Kryegjyshi, teksa uroi për këtë festë besimtarët, u lut për të gjithë shqiptarët.
“Me durim për t’i bërë ballë kësaj sprove me kurajë për të përballuar edhe kohërat më të vështira për gjithë shoqërinë njerëzore, ne po ia dalim se për asnjë rast se kemi humbur dhe s’do e humbim besimin tek Zoti lart e mirësitë e tij universale”, tha ai.
Mes të tjerash Kryegjyshi pohoi se për shkak të situatës me pandeminë e COVID-19, shpreson që besimtarët t’i kthehen riteve fetare.
Matemi
Matemi, ceremonia e mbylljes të të cilit u bë dje në orën 12:00 në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ishte dita fundit e agjërimit dhjetëditor deh pasohet të martën (sot, 1 shtator 2020), me ceremoninë e ashures. Po çfarë është Matemi?
…Deri ditën e Ashures bëhet Matemi, i cila është agjërimi i zisë, ose zija përkujtimore. Agjërimi i bektashinjve dhe i të tjerë tarikateve alevian, që zgjat 10 ditë të muajit hënor të Muharremit ( Muaji Muharrem është fillimi i vitit të ri Hixhri sipas kalendarit mysliman). Gjatë këtyre ditëve, besimtarët bektashian, mysliman dhe alevian kudo që ndodhen në botë, për 10 ditë me radhë, përkujtojnë në shenjë zie e respekti, 72 dëshmorët që ranë heronj në Qerbela, me në krye Imam Hysenin (afërsisht 20 tetor të vitit 680 pas Krishtit, në Irak). Këto ditë bektashinj e të tjerë mblidhen në teqetë e ndryshme ku drejtuesit lexojnë me zë të lartë Hadikanë, bëjnë ritualin e përditshëm duke përkujtuar vuajtjet e profetëve e ngjarjen tragjike të Qerbelasë, për shërbimin e tyre të shenjtë në të mirë të njerëzisë, duke predikuar rrugën e drejtësisë, paqes, vëllazërisë dhe përsosmërisë njerëzore. Natën e parë u kushtohet vuajtjet e profetëve: Ademin, Nuhun, Ibrahimin, Jusufin, Musain dhe Krishtin; të dytën për Profetin Muhamet; të tretën për Imam Aliun; të katërtën për Imam Hasanin; të pestën për Imam Hysenin ( lindja dhe jeta e tij); të gjashtën për Imam Hysenin ( ikja e tij nga Medina në Mekë); të shtatën për Myslym Akilin (vrasja e tij dhe dy djemve të tij, Myftarin dhe Ibrahimin); të tetën për Imam Hysenin (nisja e tij për në Kufë); të nëntën për Imam Hysenin (mërritja në Qerbela) dhe, natën e dhjetë, për Imam Hysenin ( martirizimi i tij dhe dëshmorët e tjerë). Në këto ditë nuk pihet ujë, etj.
Ashurja
Ditën e dhjetë të Matemit, për t’i dhënë fund kësaj periudhe agjërimi, zhvillohet një ceremoni e fundit në teqe. Kjo ceremoni fillon në fund të natës së dhjetë. Besimtarët pinë ujin e jetës, sherbetin dhe mbas kësaj, vihet ashurja në zjarr dhe nga ky çast,vazhdon të nesërmen “Dita e Ashures”. Ashurja është ëmbëlsira e posaçme që merr emrin e kësaj dite – Dita e dhjetë do të thotë Ashure. Ashurja të dhjetën ditë të muajit Muharrem shënon përvjetorin e vdekjes së Imam Hysenit në Qerbela. Ashurja gatuhet me grurë, ujë, niseshte, fasule, bathë, misër, fiq të thatë, rrush të thatë, arra, sheqer (ose mjaltë, pekmez, musht), kanellë. Në ceremoninë fetare recitohet me zë të lartë (nerthije) bëhen lutje fetare në një heshtjeje zie. Pastaj bëhen vizita, populli dhe besimtarët, hanë ashuren.