Çelja e Nijetit të Matemit 21.08.2020 ora 14:00

Sot në ambientet e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane u çel nijeti i Matemit traditë shekullore e Komunitetit Bektashi e cila do të zgjasë dhjetë ditë e do të përfundojë me festën tradicionale të Ashures më 1 shtator 2020, nën masa të rrepta parandaluese dhe mbrojtëse shëndetësore sipas udhëzimeve të OBSH dhe Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e pandemisë globale COVID-19.
Matemi, është agjërimi i zisë, ose zija përkujtimore në nderim të veprës së martirëve të Qerbelasë. Agjërimi i bektashinjve dhe i tarikateve të tjerë alevian, zgjat 10 ditë të muajit hënor të Muharremit. Gjatë këtyre ditëve besimtarët bektashian, mysliman dhe alevian kudo që ndodhen në botë, për 10 ditë me radhë përkujtojnë në shenjë zie e respekti 72 dëshmorët që ranë heronjtë në Qerrbela, me në krye Imam Hysenin, në shekullin e shtatë, afërsisht 20 tetor të vitit 680, në Irak. Këto ditë bektashinjtë e të tjerë mblidhen në teqetë e ndryshme, ku udhërrëfyesit (klerikët) lexojnë me zë të lartë “Hadikanë”, bëjnë ritualin e përditshëm, duke përkujtuar vuajtjet e profetëve e ngjarjen tragjike të Qerrbelasë, për shërbimin e tyre të shenjtë në të mirë të njerëzisë, duke predikuar rrugën e drejtësisë, paqes, vëllazërisë dhe përsosmërisë njerëzore. Natën e parë u kushtohet vuajtjeve të profetëve: Adem, Nuh, Ibrahim, Jusuf, Musa dhe Krisht, të dytën për Profetin Muhamet, të tretën për Imam Aliun, të katërtën për Imam Hasanin, të pestën për Imam Hysenin (lindja dhe jeta e tij), të gjashtën për Imam Hysenin, ikja e tij nga Medina në Mekë, të shtatën për Myslym Akilin vrasja e tij dhe dy djemve të tij, Myftarin dhe Ibrahimin, të tetën për Imam Hysenin nisja e tij për në Kufë, të nëntën për Imam Hysenin (mbërritja në Qerrbela) dhe natën e dhjetë për martirizimi i tij dhe dëshmorët e tjerë. Për arsye që trimat e kësaj tragjedie shkuan në ahiret, buzëtharë, në këto ditë nuk pihet ujë. Traditë e cila këtë vit për shkak të parandalimit të përhapjes së pandemisë Globale nuk do të zhvillohet në ambientet e kultit fetarë por në çdo shtëpi besimtari Bektashi.

KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN,
HIRËSIA E TIJ,
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ